English

Topi: Anëtarësimi Në Nato E Be Rruga Më E Mirë Për Shqipërinë Dhe Rajonin

TIRANË, 2 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Presidenti i Republikës dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë deklaroi sot se "rruga e vetme dhe më e mira për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit ishte anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO dhe Bashkimin Europian". Presidenti Topi mori pjesë sot në ceremoninë e mbylljes së Prezencës së NATO-s në Shqipëri, e cila u zhvillua në mjediset e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin Komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s, në Napoli, Admirali Mark Fitzgerald, Komandanti i Komandës së NATO-s, Gjeneral Brigade Dincho Ivanov Karamunchev, Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami, si dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë. Në fjalën përshëndetëse, Kreu i shtetit e vlerësoi këtë ditë si një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e veçantë për Shqipërinë, shqiptarët dhe për të gjithë aleatët e partnerët tanë strategjikë, e cila ripohon realizimin përfundimtar të ëndrrës dhe dëshirës së popullit shqiptar për t'u bërë anëtarë me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut. "Kjo ditë është e veçantë edhe për vendet anëtare të NATO-s, sepse zyrtarizon praninë tashmë dinjitoze të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe fazën më të avancuar të partneritetit me vendet e saj", u shpreh Presidenti, duke vënë në dukje se "ne jemi këtu për të shprehur dhe një herë mirënjohjen ndaj partnerëve tanë për ndihmën dhe mbështetjen politike, ushtarake, financiare, infrastrukturore që Shqipëria të anëtarësohej në NATO, të kthehej në një aleat institucional të Aleancës dhe së bashku me vendet e tjera anëtare, të bashkërendonte mundësitë për t'u përballur me të ardhmen e përbashkët dhe sfidat e saj." Pasi bëri një retrospektivë të rrugës së gjatë, por me një përmbyllje të suksesshme të Shqipërisë drejt anëtarësimit në NATO, në vijim të fjalës së tij, Kreu i shtetit u shpreh i bindur se dhe për rajonin ballkanik, sot dhe nesër, dhe për të gjithë popujt e tij, rruga e vetme dhe më e mira është anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO dhe në BE. Në këtë kontekst, Kryetari i Shtetit theksoi "ne do të vazhdojmë, me përgjegjësinë e një vendi anëtar të NATO-s, të mbështesim fuqimisht proceset pozitive integruese dhe politikat e shtrirjes së sigurisë në këtë rajon si rruga e vetme për ta shkëputur atë nga atavizmat e vjetra politike, etnike që përpiqen ta frenojnë nën petkun e një nacionalizmi të ri." Në përfundim, Presidenti Topi vlerësoi me krenari kontributin e Shqipërisë në NATO me praninë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë së bashku me miqtë dhe kolegët e vendeve të tjera të NATO-s, në luftën më të vështirë dhe sfidën më të madhe të sigurisë globale, në Afganistan./a.s/f.n/
KOMENTE