English

5215 Ton Municione Të Tepërta Te Asgjesuara Ne 5 Muajt E Pare Te 2010

TIRANË, 3 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Sasia e municoneve të tepërta të asgjësuara gjatë pesë muajve të parë, janar-maj 2010, në vend është rreth 5215 ton. Kjo shifër u raportua sot në takimin e radhës të bordit drejtues të Projektit për Planin e Veprimit për Asgjësimin e Municioneve të Tepërta në Forcat e Armatosura, i kryesuar nga zv/ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu. Në fjalën e tij zv/ministri Spahiu tha se i gjithë procesi i demilitarizimit në vend realizohet në tre uzina ushtarake, në atë të Mjekësit, në Kombinatin e Poliçanit dhe në 6 poligone të miratuara me ligj. Zv/ministri i Mbrojtjes bëri të ditur se në kuadër të këtij procesi janë në procedurë e sipër edhe ngritja e pesë poligoneve të tjerë, që janë miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe së shpejti pritet të kalojnë në parlament. "Me porosi të Kryeministrit është kërkuar bashkëpunimi me komunitetet që jetojnë afër poligoneve. Ministria e Mbrojtjes, së bashku me Shtabin e Përgjithshëm, po përgatisin një plan pune për t'u ardhur në ndihmë banorëve në këto zona", nënvizoi Spahiu. Gjatë takimit të sotëm të bordit, major Shkëlqim Sina informoi mbi ecurinë e procesit të asgjësimit të municioneve gjatë muajit maj, i cili sipas tij, ka qënë një ndër më të suksesshmit. "Në muajin maj janë asgjësuar në total 1747 ton municione, nga të cilat 957 ton në poligone dhe 790 ton janë demontuar në uzina, me një mesatare 87-90 ton në ditë. Referuar muajit prill, në muajin maj janë asgjësuar 600 ton më shumë se muajin e kaluar. Krahasuar me sasinë e municioneve të asgjësuara në të njëjtën periudhë të vitit 2009 rezulton se në muajt janar-korrik 2009 janë asgjësuar 1862 ton, në janar-maj 2010, 5215 ton, ose gati trefishi. Në total në 2009 u asgjësuan 6540 ton municione", informoi major Sina. Aktualisht, në vend asgjësohen dhe demontohen municione në 5 linja industriale dhe 6 poligone, përkatësisht 2 linja janë në Mjekës, 1 në Gramsh dhe 2 në Poliçan./s.s./
KOMENTE