English

Gjoka: Saranda Gjatë Gjithë Vitit, Në Sezon Turistik

TIRANË, 3 Qershor /ATSH - Mira Shkurta/. - Është në traditën e qytetit të Sarandës qe gjatë gjithë vitit të jep imazhin e një qyteti turistik. Saranda, qyteti me një infrastrukturë të jashtëzakonëshme, rrugët hyrëse dhe ato që të çojnë drejt qytetit bregdetar, një ndër zonat më të bukura të turizmit shqiptar, vetëm në sezonin e vitit te kaluar veror u frekuentua nga 400 mijë turistë nga vende të ndryshme, përfshirë edhe ata jashtë vendit. Kjo rritje bazohet në performancën që ky qytet e ka krijuar prej vitesh. Në një intervistë për ATSH-në, kryetari i bashkisë së këtij qyteti, Edmond Gjoka, tha se "trendi i turizmit në Sarandë është rikthimi i turistëve që vizitojnë dhe kalojnë pushimet në këtë qytet". Kryebashkiaku vuri në dukje se nga fillimi i këtij viti, Sarandën e kanë vizituar rreth 60 mijë turistë, 40 % e të cilëve vijnë nga jashtë kufijëve të vendit, një pjesë e mirë e të cilëve janë frekuentues të rregullt. Në zhvillimin e turizmit në këtë qytet, Gjoka vlerësoi të rëndësishme veçanërisht investimet, rolin e biznesit, si dhe bashkëpunimin mes pushtetit qendror, atij vendor dhe biznesit. Ndër elementët e rëndësishëm që kanë ndikuar në turizmin e Sarandës, Gjoka veçoi infrastrukturën rrugore, investimet e bëra në rrugën e bregdetit, krijimin e një ambjenti të pastër e komod, furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm, jetën artistike e sportive, veçanërisht gjatë sezonit veror. Gjoka tha se "një infrastrukturë e jashtëzakonshme është realizuar në qytetin e Sarandës, rrugët për të ardhur deri në Sarandë, rruga e bregdetit, rruga Qafë - Botë- Sarandë, rruga e hyrjes për në qytetin e Sarandës sipas të gjitha standarteve, që pritet të përfundojnë se shpejti". Saranda me rrethinat e saj, në skajin më jugor të Shqipërisë, përbën një nga zonat më të bukura të turizmit shqiptar. Qyteti dhe plazhi i vogël shtrihen në formën e një gjysëm harku në brigjet e detit Jon përballë ishullit të Korfuzit, vetëm 5 milje detare larg tij. Megjithëse 285 km larg nga kryeqyteti, qyteti i Sarandës dhe rrethinat e tij bregdetare zënë një pozitë gjeografike shumë të favorshme me mundësi mjaft të mira lidhjeje me qendra të tjera turistike brenda dhe jashtë vendit si, Gjirokastrën, Butrintin, Korfuzin, Igumenicën etj. Saranda eshte një vend i këndshëm për të pushuar, ku stina e verës është e nxehtë, dielli ndriçon thuajse gjatë gjithë vitit, ndërkohë që dimri është i butë. Saranda është një qytet me më shumë se 2000 vjet histori, ngritur në zonën e bregdetit jugor të Shqipërisë, i pasur në vlera të rralla të trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike, por edhe europiane. /a.ke/
KOMENTE