English

Kuvend-Topalli Fton Opozitën Të Bashkëpunojë Për Reformat

TIRANË, 3 Qershor/ATSH/- Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ftoi sot opozitën e majtë që të bashkëpunojë në procesin e reformave në funksion të objektivit kryesor, heqjes së vizave për shqiptarët. Duke marrë shkas nga diskutimi sot në Kuvend i deputetit të opozitës, Damian Gjiknuri, i cili kundërshtoi ndryshimet e propozuara nga maxhoranca në rregulloren e Kuvendit, kryeparlamentarja tha se këto amendime janë plotësisht në përputhje me ligjin. Topalli sqaroi gjithashtu dhe çështjen e dietave të deputetëve socialistë, të cilët nuk i përfituan ato muajin e kaluar për shkak të përfshirjes së tyre në grevën trejavore të urisë. "Nuk mund të ketë dieta për ju (opozitën) për ditët kur ishit në grevë urie, ndaj mos sulmoni administratën e Kuvendit. Nuk është ky parimi dhe principi themelor i të drejtave të njeriut. Do të respektohet rregullorja dhe vendimet e parlamentit pikë për pikë, siç i takon secilit prej jush", tha kryetarja e Kuvendit duke iu drejtuar deputetëve të PS-së. Ajo shprehu kënaqësinë që opozita është e pranishme në parlament, ndonëse një vit pas zgjedhjeve. "Ju shoh që jeni të përgatitur për të diskutuar, më bëhet qejfi dhe jam e hapur për të respektuar çdo të drejtë tuajën që ju jep vendimi i Kuvendit, statusi i deputetit dhe rregullorja. "Pavarësisht se mund të mendojmë ndryshe, uroj që kjo sallë e parlamentit të jetë vendi ku ne mund të vazhdojmë të bashkëpunojmë për reforma të ndryshme në funksion të objektivit tonë kryesor, liberazimit të vizave", tha Topalli. /a.s//n.m/
KOMENTE