English

Olta Xhaçka: Mazhoranca u është sulur deputetëve të opozitës

Tiranë, 3 Qershor, NOA – “Në vend që ju kolege të mazhorancës të përqendroheni në integrimin evropian të Shqipërisë përmes zgjidhjes politike e kapërcimit të krizës ekonomike, i jeni sulur pasurisë kombëtare për të mbushur arkën bosh të shtetit dhe po shkatërroni biznesin nëpërmjet gjobave marramendëse, sikundër po zhvatni popullin me tarifa të papërballueshme”.

Kështu ka pohuar deputetja socialiste Olta Xhaçka, gjatë fjalës së saj, të mbajtur në seancën e sotme plenare.

Duke iu referuar incidentit me shtëpinë e deputetit socialist Dashamir Peza, ajo pohoi se “me paturpësi u jeni sulur deputetëve të opozitës duke u marrë dhe me banesat e tyre private ashtu siç i jeni vërsulur medias kritike për të mbytur zërin e lirë dhe të vërtetën që vjen ende nga mendjet e lira në këtë vend”.

“Sot shqiptarët kanë bindjen se vota e tyre është vjedhur dhe e drejta e tyre për ta ndryshuar qeverinë është dhunuar, kanë bindjen se prona private nuk ka vajtur tek i zoti dhe se pushteti po sillet si zot në pronën e gjithë shqiptarëve, kanë bindjen se ligji është bërë si një kanatiere e kthyer mbrapsht në trupin e mazhorancës, kanë bindjen se media e lirë është në rrezik nga uzurpatorët”, tha në fund të fjalës së saj, Xhaçka.

n.e/NOA

KOMENTE