English

Pollo: Ligji Për "Nënshkrimin Elektronik", Hap Një Epokë Të Re Në Historinë E Komunikimeve

TIRANË, 3 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit (TIK), Genc Pollo, deklaroi sot se ligji për "nënshkrimin elektronik" ka hapur një epokë të re në historinë e komunikimeve, transaksioneve bankare dhe shërbimeve online. Autoriteti Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe Ministria e TIK organizoi sot aktivitetin promovues "Mbi nënshkrimin dhe dokumentin elektronik". Gjatë këtij aktiviteti, ministri Pollo tha se "tani janë të gjitha mundësitë që çdo shtetas shqiptar i interesuar të nënshkruajë kontrata, të marrë pjesë në prokurimet publike me mjete elektronike dhe të regjistrojë biznesin në disa minuta". "Në një të ardhme të afërt çdo qytetar mund të votojë në mënyrë elektronike, ose nëpërmjet internetit pa qenë i pranishëm fizikisht, vetëm falë nënshkrimit elektronik", tha Pollo. Ligji për nënshkrimin elektronik është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në muajin shkurt 2008. Në zbatim të këtij ligji janë miratuar struktura dhe organika e Autoritetit Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe është bërë plotësimi me aktet nënligjore. Qëllimi i Ligjit "Për Nënshkrimin Elektronik" është krijimi i kuadrit të nevojshëm ligjor për njohjen dhe përdorimin e nënshkrimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë. Me këtë ligj çdo dokumenti elektronik i jepet e njëjta vlerë ligjore me dokumentin tradicional te nënshkruar dorazi. Ky ligj është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe me Direktivën e KE-së për nënshkrimet elektronike. Katër vitet e fundit janë miratuar disa ligje që lidhen me shoqërinë e informacionit, si ligji për "Mbrojtjen e të dhënave personale", ligji "Për dokumentin elektronik", si dhe u amendua Kodi Penal, duke mundësuar reflektimin e plotë të kërkesave të Konventës për Krimin Kibernetik. Gjithashtu, është miratuar ligji i ri "Për komunikimet elektronike", i cili është hartuar në përputhje me direktivat e BE-së. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të komunitetit të TIK, drejtues të sektorëve të Informatikës së ministrive, të sistemit bankar, përfaqësues të universiteteve, të shoqërive të ndryshme të sigurimeve, Shoqata Shqiptare e Teknologjisë së Informacionit, si dhe ekspertë të huaj. /s.s./
KOMENTE