English

Sport/ Atletët Shqiptarë, 3 Medalje Ari Dhe Rekord Kombëtar Në Turneun E Bosnjes

TIRANË, 3 Qershor/ ATSH- Gjergji Mima/. - Atletët shqiptarë kanë bërë një paraqitje të suksesshme në turneun ndërkombëtar të Bosnjes, që po zhvillohet këto ditën në Zenica. "Mbretëresha e Sporteve" ka bërë atë që deri dje ishte një ëndërr në arenën ndërkombëtare, por që u kthye në realitet. Tri medalje ari, një argjendi dhe dy bronzi janë fituar nga atletët shqiptarë në ditën e parë të konkurrimit, teksa është thyer edhe një rekord kombëtar. Ndërsa tre vendet e para mbajnë firmën e atletit Admir Bregu, në disiplinën e preferuar, kërcim së gjati, me 7.53 metra, Luiza Gegës në 1500 metra dhe Adriatik Hoxhës në hedhje gjyle, me medalje argjendi u nderua Marina Ramadani në 100 metra dhe me bronz Olgerta Gjylapi po në 100 metra, si dhe Besmir Pepaj në hedhjen e shtizës. Por, momenti kryesor i debutimit të atletëve kuq e zi në turneun e Bosnjes ka qenë rekordi kombëtar i sigluar nga atleti durrsak i hedhjes së gjyles, Adriatik Hoxha. Shtatlarti durrsak arriti ta hedhë gjylen 17.93 metra, nga 17.53 që ishte rezultati i mëparshëm, duke shkruar emrin në librin e rekordeve kombëtare. Sipas Federatës Shqiptare të Atletikës, "në Zenica të Bosnje-Hercegovinës, ku marrin pjesë delegacione nga 13 shtete të botës, Shqipëria ka në përbërje të saj 7 atlete femra dhe 12 meshkuj. Test në përzgjedhjen e sportistëve nga kryesia e federatës në këtë eveniment ka qenë prezantimi i tyre në mitingun e Malit të Zi, Ohrit dhe Kupës së Shqipërisë". /s.s./
KOMENTE