English

Sport-Koment/ Fitorja Ndaj Malit Të Zi Dhe Goleada E Munguar Ndaj Andorrës, Dy Fytyrat Kuq E Zi

TIRANË, 3 Qershor/ ATSH -Gjergji Mima/.- Shqipëria mbylli zyrtarisht fazën përgatitore përpara eliminatoreve të kampionatit Evropian 2012, që do të zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë. Ajo që mund të thuhet për dy fitoret 1-0 të Kombëtares shqiptare ndaj Malit të Zi në Podgoricë dhe Andorrës në Tiranë është se u pa një Shqipëri me dy fytyra. Energjike, agresive dhe me grintë ndaj malazezëve, e lodhur, pa motiv dhe apatike ndaj Andorrës. Mbi të gjitha, në ndeshjen ndaj Malit të Zi bëri përshtypje vendosmëria dhe dëshira e të gjithë futbollistëve për të bërë më të mirën në fushë, entuziazmi dhe lëvizshmëria në zbatimin e detyrave. Ndryshimi ndaj Andorrës ishte i dukshëm, më skeptikët mund të thonë se ishte edhe çështje bastesh ( fitorja me vetëm një gol ndaj Andorrës kuotohej me koefiçent 5.5), por duhet të kemi parasysh kundërshtarin dhe qëllimin e ndeshjes. Kishim një miqësore me Malin e Zi, që tregoi një marsh ndryshe për kombëtaren tonë në sensin pozitiv, ndërsa po të mendosh për synimin që skuadra jonë duhet të ketë për Evropianin, nuk kemi bërë më të mirën. Në ekipet kombëtare rinovimi është i domosdoshëm, por për ekipe si Shqipëria duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Të paktën në ndeshjen me Malin e Zi nuk pamë një futbollist të ri, që të ishte i specializuar në një post të veçantë, përfshirë këtu edhe Muzakën, që luajti në pozicionin e tij të zakonshëm në krahun e djathtë të mesfushës. Duke ëndërruar e shpresuar goleadën, ndeshja miqësore me Andorrën ishte projektuar të ndahej më dysh. Siç edhe pati paralajmëruar trajneri Kuzhe para sfidës në fjalë 45 minutat e para do të ishin në dispozicion të formacionit më të mirë, ndërsa fraksioni i dytë do t'u rezervonte më shumë minuta "prove" kandidatëve për fanellën kuqezi. Të paktën atyre që Kuzhe u kishte besuar për këto dy ndeshje miqësore. Pra, nga njëra anë ishte fitorja ndaj një kundërshtari mjaft modest, si Andorra, ndërsa nga ana tjetër testimi i sa më shumë lojtarëve. Por, realiteti tregoi se ndeshje të lehta në dukje, në rangun e ekipeve përfaqësuese nuk ka më, si në veprimtaritë europiane, ashtu edhe botërore. Parë në këtë optikë, duke u munduar ta vlerësojmë më shumë se duhet dhe sa vlen realisht kundërshtarin (qoftë edhe për atë fitore 2-0 në 17 prillin 2002, që i kushtoi pankinën Demollarit), paraqitja e ekipit tonë ishte pozitive, sidomos në zotërimin dhe qarkullimin e topit, veçanërisht në pjesën e dytë, ku elementët sulmues u shtuan edhe në numër. Sidoqoftë, ajo çka është kryesore në një ndeshje futbolli dhe që bën diferencën, goli ndaj Andorrës ka dalë në dritë me mjaft vështirësi dhe vetëm një herë, me të njëjtin autor si edhe në Podgoricë, Hamdi Salihin. i cili, në njëfarë mënyre ka shpëtuar nderin e kuqezinjve në një ndeshje miqësore ku synohej goleada, por mezi është fituar. Dhe po të kesh parasysh se luanim ndaj Andorrës, me një popullsi prej rreth 70 mijë banorësh, me një futboll zyrtar amator, që e ka vizituar për herë të parë portën e Hidit në minutën e 61-të, Salihi duhet falenderuar. Sepse e bën Kuzhen, ndoshta trajnerin më të suksesshëm të kuqezinjve për ndeshjet miqësore. Si miqësore, sfida e mbrëmshme me Andorrën i ka arritur në masë të konsiderueshme të dy objektivat. Janë testuar mjaft lojtarë kandidatë për ekipin kombëtar, ku vetëm njëri prej tyre, që ishte në stol, portieri Llani, nuk ka patur shansin të hyjë në fushën e blertë, edhe pse ndonjë prej zëvendësuesve ka pasur shumë pak kohë në dispozicion (Veliaj dhe Bici). Interesant është fakti se Kuzhe i ka mbajtur me kohë të plotë lojtarët pa ekipe në fushën e lojës, përjashto Ervin Bulkun, që u zëvendësua në minutën e 56-të nga Xhihani, ndoshta edhe për ta sistemuar diku për sezonin e ri. Sepse, mes të pranishmëve në "Qemal Stafa" duhet të ketë patur patjetër edhe ndonjë menaxher./s.s./
KOMENTE