English

Steriotipet Gjinore

Fjala ‘steriotip’ është përdorur fillimisht në shtypshkrim dhe i referohej kopjes së një vule printimi, dhe që fjalë për fjalë do të thotë “imazh i përjetësuar pa ndryshim”

Nga Robert Bosch*

English Version Below

Në emër të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ju uroj mirëseardhjen në këtë konferencë kombëtare dyditore mbi “Përballjen me Steriotipet Gjinore”.

Kjo konferencë organizohet nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së dhe One-UN Shqipëri.

Qëllimi i kësaj konference është të nxisë shkëmbimin e eksperiencave të pjesëmarrësve në lidhje me perceptimin dhe njohjen e steriotipeve gjinore në Shqipëri.

Shpresojmë që nga kjo Konferencë do të nxirren një sërë sugjerimesh dhe rekomandimesh, të cilat do të përfshihen në draftin e ri të rishikuar të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Dhunën në Familje.

Dëshiroj të mirëpres Shkëlqesinë e Tij, Kryeministrin e Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha, i cili pranoi me dashamirësi t’i kushtojë pak nga koha e tij këtij aktiviteti të rëndësishëm.

Gjithashtu mirëpres Ministrin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z. Spiro Ksera dhe znj.Gulden Turkoz-Coslett, Koordinatorja Kombëtare e One-UN Shqipëri, si bashkë-organizatorë të këtij aktiviteti.

I uroj mirëseardhjen, në mënyrë të veçantë, përfaqësuesve të Qeverive të Holandës dhe Suedisë, të cilat po financojnë aktualisht projektin tre-vjeçar të OSBE-së “Rritja e Rolit të Grave në Qeveri”, dhe pa ndihmën e të cilave një konferencë e përmasave të tilla, nuk do të ishte e mundur.

***

Shkëlqesia Juaj - Kryeministër, të nderuar Ministra, shkëlqesi, zonja dhe zotërinj! Pse po diskutojmë ne sot për Steriotipet Gjinore?

Fjala ‘steriotip’ është përdorur fillimisht në shtypshkrim dhe i referohej kopjes së një vule printimi, dhe që fjalë për fjalë do të thotë “imazh i përjetësuar pa ndryshim”.

Me këtë Konferencë ne dëshirojmë të sfidojmë këtë të ashtuquajtur imazh – duke treguar se roli i grave i perceptuar nga shoqëria nuk përjetësohet pa ndryshim.

Ne duam që të gjithë të kuptojnë se në një shoqëri demokratike gratë dhe burrat janë të barabartë në çdo aspekt të jetës publike dhe politike.

Vlerësime të ndryshme të përputhshmërisë së Shqipërisë me Konventën e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të gjitha formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW) kanë treguar se edhe pse legjislacioni shqiptar është përgjithësisht në përputhje me kërkesat e CEDAW-s, steriotipet gjinore janë ende të fuqishme dhe mjaft të përhapura në shoqërinë shqiptare, madje edhe midis vetë grave. U vlerësua se ka pabarazi në tri fusha: politikë, ekonomi dhe në marrëdhëniet në martesë dhe familjare.

Vitet e fundit, janë përforcuar dukshëm ligjet dhe politikat që promovojnë barazinë gjinore – miratimi i ligjit për Barazinë Gjinore, Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Dhunën në Familje, Ligji mbi Barazinë Gjinore në Shoqëri dhe përfshirja e një Kuote Gjinore prej 30% në Kodin Zgjedhor, pavarësisht se ka përsëri vend për përmirësime të mëtejshme.

Të gjitha këto hapa janë ndërmarrë nga qeveritë e njëpasnjëshme në mbështetje të progresit të grave dhe është bërë një punë e madhe për të siguruar që kuadri ligjor të përputhet me normat dhe standardet ndërkombëtare.

OSBE-ja i ka dhënë gjithmonë përparësi promovimit të barazisë gjinore; duke filluar me adoptimin e Aktit Final të Helsinkit ku Vendet anëtare u përkushtuan të respektojnë të drejtat njerëzore dhe liritë fondamentale për të gjithë, pa asnjë lloj dallimi gjinor.

Plan Veprimi i OSBE-së në vitin 2004 për Promovimin e Barazisë Gjinore thekson parimet kryesore të politikës së OSBE-së ku thuhet “të drejtat e barabarta të grave dhe burrave dhe mbrojtja e të drejtave të tyre gjinore, janë thelbësore për vendosjen e paqes, demokraci të qëndrueshme, zhvillimin ekonomik, si dhe për sigurinë dhe stabilitetin në vendet ku operon OSBE-ja”.

Parimet e këtij Plan Veprimi janë: promovimi i barazisë gjinore në vendet pjesëmarrëse dhe mbështetja e tyre gjatë zbatimit të përkushtimeve të marra për të promovuar barazinë midis grave dhe burrave, si dhe për të çuar perspektivën gjinore në aktivitetet, politikat, projektet dhe programet e Organizatës.

Me përparësi të lartë është sigurimi i mundësive të barabarta për pjesëmarrjen e grave në jetën politike dhe publike, sigurimi i kuadrove ligjorë dhe i politikave jo diskriminuese, parandalimi i dhunës kundër grave, inkurajimi i pjesëmarrjes së grave në parandalimin e konflikteve, menaxhimin e krizave dhe rimëkëmbjen pas konflikteve, nxitja e mundësive të barabarta për gratë në fushën ekonomike dhe ndërtimi i mekanizmave kombëtare për zhvillimin e grave.

Bazuar në këtë Plan Veprimi, Prezenca filloi një projekt tre vjetar në dhjetorin e vitit 2008, “Rritja e Rolit të Grave në Qeverisje” – të financuar nga qeveritë holandeze dhe suedeze.

Që nga koha e fillimit të projektit me qindra gra dhe burra kanë marrë pjesë në aktivitetet e tij, të cilat përfshijnë trajnime në lidhje me mbajtjen e fjalimeve në publik, përmirësimin e mesazheve, marrëdhëniet me median, fushatat për rritjen e ndërgjegjësimit dhe për mbështetje, udhëzimet për kandidatet femra për deputete dhe dhënien e mundësive për krijimin e lidhjeve.

Pjesëmarrëse nga forumet e grave anembanë vendit, për shembull, i identifikuan partitë politike si “pritësit” për pjesëmarrjen e grave në politikë. Përzgjedhja e kandidatëve duke i kushtuar vëmendje çështjeve gjinore, procedurat e emërimit dhe kuotat e bazuara në gjini konsiderohen si mjete thelbësore për t’i mundësuar grave që të emërohen dhe të mbështeten për postet ku zgjidhen. Më vjen mirë që mirëpres shumë pjesëmarrëse të këtyre forumeve këtu sot, në mënyrë që ato të kenë një mundësi për të shtuar përvojën e tyre nëpërmjet diskutimit në konferencë.

Më lejoni të theksoj platformën kombëtare të grave shqiptare, e cila po shfaqet, si një rrjet joformal dhe gjithëpërfshirës i cili i lejon grave që të ngrenë zërat e tyre, shqetësimet, nevojat dhe interesin për sa i takon pjesëmarrjes në jetën politike dhe publike dhe të lobojnë për vetveten.

Edhe pse numri i deputeteve femra në parlament u rrit ndjeshëm me zgjedhjet e fundit, stereotipet gjinore mbeten ende të forta dhe të qëndrueshme në arenën e sotme politike ashtu si edhe në fusha të tjera të jetës publike.

Shkëlqesia juaj Kryeministër, Ministra, të Nderuar, Zonja dhe Zotërinj,

Për të përmirësuar dhe për të siguruar barazinë gjinore adresimi i steriotipeve është thelbësor dhe kjo është arsyeja për takimin tonë sot dhe nesër gjithashtu, ashtu si edhe për takimet e ardhshme pas këtij.

Kam shumë besim se mundësitë që gratë të jenë pjesëmarrëse aktive në jetën politike dhe publike janë një parametër kyç i demokracisë dhe kështu, një aspekt përbërës i procesit të demokratizimit në këtë vend. Megjithëse në administratë ka më shumë gra, ato jo vetëm paguhen më pak, por edhe nuk janë të përfaqësuara si duhet në nivelet e larta.

Për ta mbyllur, uroj që të kemi diskutime të gjalla dhe interesante dhe shpresoj që nesër të dëgjoj rekomandimet sesi mund të përmirësohet procesi.

(*) Fjala e Ambasadorit të OSBE në Tiranë, në Konferencën Kombëtare “Përballja me steriotipet gjinore”, 3 qershor 2010

English Version

KOMENTE