English

Topalli deputeteve të PS: Dieta nuk morët se ishit në grevë urie e s'mund të hanit

Tiranë, 3 Qershor, NOA – “Dieta nuk morët se ishit në grevë urie e s'mund të hanit”. Me këto fjalë iu është kundërpërgjigjur kryeparlamentarja Jozefina Topalli akuzave të mbërritura nga deputetët socialistë sot në seancë plenare se iu është përgjysmuar paga për muajin maj.

“Administrata e Kuvendit ka vepruar drejt dhe nuk ka shkelur asnjë rregull”, tha ajo më pas lidhur me këtë çështje, duke i dhënë në këtë mënyrë një sqarim direkt deputetit socialist Arben Ahmetaj, i cili gjatë fjalës së tij, e ka cilësuar atë vetëm si “spikere” të parlamentit.

“Ju jeni arsyeja kryesore që përse ky parlament quhet edhe nga të huajt një institucion që nuk funksionon. Na vë orare dhe na llogarit rrogat sikur të jemi sekretarët e tu”, tha ai, duke ngritur zërin për përllogaritjen e më pak parave në llogaritë bankare të deputetëve socialistë për muajin maj.

Kujtojmë këtu, se ky ka qenë muaji kur deputetët e opozitës kanë bojkotuar punimet e parlamentit, për shkak të zhvillimit të grevës 3-javore të urisë, poshtë godinës së Kryeministrisë, ndërsa protestat e mbështetësve të tyre vërshonin natë për natë para tij.

n.e/NOA

KOMENTE