English

Dënohet me 4 vjet burg avokati Idajet Beqiri

Bruksel, 5 Qershor 2010 NOA - Kryetari i Forumit të Avokatëve të Shqipërisë, Idajet Beqiri dënohet nga drejtësia e huaj me katër vjet heqje lirie. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia zyrtare e lajmeve belge e cila tha se “politikani shqiptar u dënua nga Gjykata Penale për organizimin e sulmeve në Maqedoni dhe Kosovë”.

Sipas medias belge, Beqiri u dënua me katër vjet heqje lirie në mungesë, pasi akuzohet se në periudhën nga mesi i vitit 1997 deri më 2003, kur jetoi si refugjat politik ishte organizator në disa sulme të dhunshme.

Idajet Beqiri prej disa vitesh jeton në Shqipëri dhe është Kryetari i Forumit të Avokatëve të Shqipërisë. Ai është lindur në vitin 1951 në Fier dhe vendbanimin zyrtar e ka në Tiranë.

Avokat disa kohë në rrethe si Fieri, Kruja por edhe Tropoja, Beqiri mbahet mend sidomos për faktin se për shumë vite ishte kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar që nga themelimi më 1991.

Më 25 shtator 2003, Beqiri u shpall në kërkim nga prokuroria Shqiptare, me akuzën e "nxitjes së urrejtjes etnike", një akuzë që rëndoi dhe mbi Gafurr Adilin dhe Taip Mustafa. Ndërsa Mustafa dhe Adili u gjykuan nga Gjykata e Tiranes dhe iu dha më tej liria, për Idajet Beqirin u kërkua ndarja e çështjes, pasi i pandehuri nuk ishte i pranishëm madje nuk përfaqësohej as nga avokat mbrojtës.

r.n/NOA

KOMENTE