English

Në Korrik Qeveria Do Të Rrisë Pagat Dhe Pensionet

TIRANE 4 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Performanca e mire fiskale në 5 muajt e parë të këtij viti do të jetë edhe një shtysë më shumë për zbatimin e programit të qeverisë për rritje pagash dhe pensionesh në muajin korrik. Burime zyrtare të ministrisë së Financave rikonfirmuan sot se, "duke filluar nga data 1 korrik, do të rriten pagat dhe pensionet". Por edhe se ende nuk ka përfunduar skenari se sa do të rriten ato, burimet u shprehën të sigurt se "norma e rritjes do të jetë sa norma e inflacionit, ose diçka më shumë". Kryeministri Sali Berisha në këto muaj të parë të vitit ka ripërsëritur faktin se pavarësisht se vendi ka ndjerë efektet e krizës globale, do t'i mbetet vendimit për rritjen epagave dhe pensioneve. "Qeveria është e vendosur që me një disipilinë të fortë të përdorimit të buxhetit, të procedojë edhe këtë vit me rritjen e rrogave dhe pensioneve", siguroi Kryeministri Berisha në 5 maj gjatë një prej mbledhjeve të radhës të Qeverisë. Ai u shpreh se "realisht tregjet financiare europiane janë në gjendje të vështirë dhe në panik të vërtetë, por qeveria shqiptare është e vendosur për rritjen e rrogave dhe pensioneve". Kryeministri theksoi se "një lehtësim shumë të madh për rritjen e rrogave dhe pensioneve ka krijuar miratimi i ligjit 'Për transportin e zyrtarëve të lartë". Nga heqja e veturave dhe shoferëve personalë, është bërë e mundur që të kursehet pothuaj i tërë fondi i rritjes së rrogave dhe pensioneve. "Kjo ishte një reformë përcaktuese në mundësinë e kësaj qeverie për të vendosur rritje të re të madhe të rrogave dhe pensioneve në vitin 2010", tha Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se rritje më të madhe do të pësojnë rrogat dhe pensionet e ulëta, ndërsa rrogat e zyrtarëve më të lartë do të rriten, aq sa është niveli i inflacionit, ose me 1 për qind më shumë. "Kjo praktikë është faktuar jashtëzakonisht pozitive për vendin, pasi ne ia dolëm që në një kohë të shkurtër të ngushtojmë diferencën midis rrogës mesatare dhe asaj maksimale nga 12 herë, në 6 herë", është shprehur Kryeministri Berisha. Edhe ish-zëvendësministri i Financave Sherefedin Shehu, aktualisht deputet i Partisë Demokratike shprehet se "kjo tashmë është jo vetëm një politikë e vendosur në ligjin e buxhetit por njëkohësisht, dhe një politikë e njoftuar, që do të zbatohet. Permirësimi i performancës fiskale e bën atë një politikë plotësisht të lexueshme dhe pa implikime të tjera në tregu nfnanciar dhe në situatën fiskale të vendit". Ndërsa ish-ministri i Financave Arben Malaj shprehet skeptik për këtë vendim të qeverisë. Për të, rritja e pagave dhe pensioneve që nuk bazohet të ritmet e rritjes së të ardhurave në buxhet, siç është parë edhe në shumë vende të tjera që sot po marrin paketa antikrizë, do të jetë nesër një kosto e rëndë për ekonominë shqiptare. "Ne jemi të qartë që rritja e të ardhurave duhet të bazohet te rritja reale e të ardhurave në buxhet, sepse sa herë që pagat, investimet apo shpenzimet, rriten pa burimet e tyre reale, vendi shkon drejt një rritje të defiçitit, borxhit dhe në mënyrë të sigurtë, qeveria duhet të marrë masa siç kanë marrë edhe vende të tjera, si ulje të pagave dhe pensioneve shkurtim të administratës publike, investimeve, etj", tha Malaj./n.m/
KOMENTE