Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Shkoder: Don Carlo Zaccaro, Italiani Qe Kontribuoi Shume Per Shkodren
English

Shkoder: Don Carlo Zaccaro, Italiani Qe Kontribuoi Shume Per Shkodren

SHKODËR, 4 Qershor/ATSH-G. Marku/. - Me Don Carlo Zaccaron, meshtarin italian nga Firenze, i cili për rreth 20 vite iu përkushtua Shkodrës, lidhen shumë gjëra në qytetin e verior e më gjërë ku ai punoi me tepër përkushtim në shërbim të njerëzve në nevojë, por në të njëjtën kohë edhe në fusha të tjera, kryesisht në Universitetin "Luigj Gurakuqi". I ndarë nga jeta në moshën 88 vjeçare, ai mori një mirënjohje dhe respekt të veçantë nga Shkodra dhe mbarë rajoni verior i Shqipërisë, të cilit i shërbeu me shumë devotshmëri në vitet e demokracisë. I lindur në Firenze në gusht të vitit 1922, Don Carlo do të spikaste shumë shpejt për aftësitë e tij dhe dëshirën për të ecur vetëm përpara. Pas diplomimit në degën juridik në specialitetin e të Drejtës Agrare, lëndë të cilen e dha për disa vite në universitet, ai u afrua me "Madonnina del Grappa" falë adhurimit të tij ndaj Don Giuglio Facibenit, krijuesit të saj, ndërkohë që në vitin 1955 shugurohet prift, duke ia kushtuar jetën e tij Zotit dhe njerëzve. Ai ka një kontribut të jashtëzakonshëm në formimin e të rinjve në shkollën "Madonina Del Grapa" në Firence, por dhe zhvillimin e veprimtarisë bamirëse në shumë sektorë, nga fëmijët e të moshuarit, nga të burgosurit e te huajt. Prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, i cili së bashku me shumë autoritete të tjera vendore si dhe përfaqësues të tjerë nga universiteti dhe komunitetet fetare, morën pjesë në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit, tha për ATSH-në se, "Vdekja e Don Carlos është një humbje e madhe për të gjithë, për te afermit e bashkëpunëtoret e tij në Itali, për miqët e tij në Shqipëri dhe në veçanti në Shkodër." "Kemi ndjerë nga afër shpirtin e mendjen e tij krijuese, energjinë e pashtershme e vullnetin e hekurt për të realizuar gjithçka që ishte në shërbim të njerëzve në nevojë. Atë do ta kujtojnë të gjithë në Shkodër, fëmijë, të rinj e të moshuar, studentë e intelektualë. Ishte modest dhe i fundit në pretendime, ku asnjeherë nuk dëshronte të binte në sy, por vetëm të punonte dhe të kontribuonte", tha Cungu. Në Shqipëri, Don Carlo mbërriti për herë të parë në vitin 1992 së bashku me motrat e Nënë Terezës për të kontribuar në kapërcimin e ditëve të vështira që po kalonte vendi ynë. Për institucionalizimin e ndihmës ndaj komunitetit, ai krijoi degën "Missione Albania" dhe për gati 20 vite i përkushtohet Shkodrës, qytetit, që siç thoshte edhe ai vetë, qe vendlindje e dytë për të. Shumë shpejt u krijua edhe Filiali "Madonnina del Grappa" në Shkodër, President i të cilës qe deri në fund të jetës së tij. "Kontributet e Don Carlos i gjejmë kudo në Shkodër. Ato janë evidente edhe në ndihmën që i ka dhënë Universitetit "Luigj Gurakuqi" për t'u kthyer në një institucion të vertetë perendimor", theksoi rektori i Universitrtit "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës, Prof. Dr. Artan Haxhi. Sipas tij, në vitin 2007, falë punës këmbëngulëse të Don Carlos, në bashkëpunim me Universitetin e Firenzes e me Prof. Giulio Masssoti, u bë e mundur që në Universitetin e Shkodres të hapet dega trevjeçare e Fizioterapisë. Për të gjitha shërbimet në lëmin e mësimdhënies dhe të kulturës, në 1995 Don Carlo u dekorua me urdhrin e artë "Naim Frashëri", ndersa për kontributet në shërbim të qytetarëve të Shkodrës mori titullin "Qytetar Nderi". Në respekt të kësaj figure, në qëndrën "Madonnina del Grappa", pranë Spitalit Fizioterapik në Shkodër, të ngritur prej tij, janë zhvilluar vizita ngushëlluese nga mbarë komuniteti në qytetin e Shkodrës, ndërkohë që drejtuesit e kishës katolike kanë mbajtur një meshë të posaçme. Gjithashtu, u përcoll publikisht edhe një falenderim për mesazhin ngushëllues dërguar nga Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli. /a.ke/
KOMENTE