English

Kriza - Greqi - Manifestime Kundër Reformës Së Pensioneve

ATHINË, 5 qershor /ATSH-ANSA/ - Disa mijëra persona u mblodhën sot sërish në sheshet e Greqisë kundër planit të kursimit dhe në përpjekje për të ndaluar reformën e pensioneve që qeveria po përgatitet ta paraqesë në parlament për votim. Ndërsa edhe punonjësit në sektorin e turizmit kanë njoftuar për greva të ardhshme, konfederata e sektorit publik Adedy dhe ajo e sektorit privat Gsee, marshuan sot në mënyrë paqësore me sloganin "Së bashku mundemi" dhe "Poshtë duart nga pensionet" deri te selia e parlamentit për të kërkuar "tërheqjen e masave jopopullore dhe neoliberale që reduktojnë në mënyrë drastike rrogat dhe pensionet, nxisin shkarkimet nga puna dhe përjashtojnë kontratat kolektive". Veç nga sindikatat e tjera, sot në vend protestoi edhe sindikata komuniste Pame. Manifestimet e sotme, kryesisht jo masive, janë paralajmërimi për greva të reja të përgjithshme, kur nga fundi i muajit qeveria do të paraqesë në parlament reformën e pensioneve. Kjo, sipas shtypit, parashikon që pas vitit 2015, mosha e daljes në pension do të rritet në 65 vjeç, ose 40 vjet kontribute. /e.v/
KOMENTE