English

Liberalizimi I Vizave Dhe Angazhimi I Qeverisë Për Realizimin E 3 Kushteve Shtesë

- Shënim- TIRANË, 5 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Shqipëria ka realizuar tashmë detyrimet kryesore të Udhërrëfyesit për liberalizimin e regjimit të vizave me vendet e Bashkimit Europian dhe marrja e rekomandimit nga Komisioni Europian për ecjen përpara të këtij procesi (27 maj 2010), e dëshmon. Në tërësi, liberalizimi i vizave konsiderohet si një proces teknik dhe vendosja e tre kushteve të reja që duhet të plotësojë vendi ynë për marrjen e një vendimi pozitiv nga Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE-së, është mirëpritur nga autoritetet shqiptare. Komisioni Europian kërkoi nga Shqipëria miratimin e Strategjisë për të mbështetur riatdhesimin e emigrantëve të kthyer, zbatimin me efektitet të kuadrit ligjor për luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe të kuadrit ligjor në fushën e konfiskimit të aseteve nga krimi i organizuar. Në mbledhjen e Komitetit Ndërinstitucional për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit në 1 qershor, Kryeministri Sali Berisha kërkoi që të punohet me seriozitet në plotësimin e të gjitha kritereve të përcaktuara nga Komisioni Europian për liberalizimin e vizave. "Këtë vendim duhet t'a marrim si një përgjegjësi të re, për të ngritur në një nivel të ri luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve", theksoi Berisha. Ai kërkoi nga policia e shtetit zbatimin e ligjit që penalizon kryetarët e komunave në rastet kur në territoret e tyre konstatohet se mbillen bimë narkotike. Strategjia për të mbështetur riatdhesimin e emigrantëve të kthyer, është një kriter që i vendoset për herë të parë vendit. Por sipas Ministrit të Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo kjo strategji do të miratohet nga Këshilli i Ministrave në mes të muajit Qershor. Edhe Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu u shpreh optimiste se "procesi i liberalizimit të vizave do të përfundojë brenda vitit 2010". Në një intervistë dhënë disa ditë më parë për ATSH-në, ajo tha se "ndërkombëtarët vlerësojnë seriozitetin në përmbushjen e detyrimeve dhe ritmin e ecurise se reformave kyçe për zhvillimin e vendit". Bregu siguroi për një përgjegjshmëri totale të palës shqiptare për plotësimin e tri kushteve të vendosura. Liberalizimi i vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën mori gjithashtu edhe mbështetjen unanime nga të gjitha vendet pjesëmarrëse në Samitin e Sarajevës në 2 qershor. Në mbyllje të tij, ministri i Jashtëm italian, Franco Fratini garantoi qytetarët shqiptarë se heqja e vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian do të ndodhë brenda vitit. Sipas tij, qeveria shqiptare ka dhënë garanci të plota për plotësimin e kritereve brenda afateve të caktuara nga Komisioni Evropian. "Pas publikimit të dokumentit të Komisionit Evropian, mendoj se do të jetë e mundur që të kemi hequr vizat me Shqipërinë përpara dimrit. Ne kemi vendosur disa kritere teknike që duhen përmbushur. Nëse përmbushen dhe kushtet plotësohen, nuk ka pengesa politike", u shpreh Frattini. Edhe Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule konfirmoi në përfundim të Samitit, se "heqja e vizave nuk do të varet nga situata politike në Tiranë, pasi ky është një proces teknik". Megjithatë ai i bëri thirrje politikës shqiptare të gjejë zgjidhjen përpara vjeshtës, kur do të merret vendimi në Bruksel. "Komisioni nuk i ka ndryshuar rregullat për heqjen e regjimit të vizave me BE-në. Ne nuk kemi shtuar ndonjë kriter politik. Komisioni qëndron në mbështetje të rekomandimeve që nëse përmbushen detyrat e caktuara, nuk do të ketë asnjë pengesë për qytetarët të udhëtojnë pa viza në BE. Tani fjalën e ka Parlamenti Europian dhe Këshilli i Evropës", u shpreh komisioneri Fule. Një mision ekspertësh nga Komisioni Europian pritet të mbërrijë në Shqipëri gjatë muajit korrik 2010 për të parë ecurinë e plotësimit të tre kritereve të vendosura për liberalizimin e vizave./n.m/
KOMENTE