Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Vasili: Task Force Për Kontrollin E Standardeve Mjekësore Në Klinikat Private
English

Vasili: Task Force Për Kontrollin E Standardeve Mjekësore Në Klinikat Private

TIRANË, 5 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/. - Standardet e shërbimit mjekësor ndaj qytetarëve shqiptarë duhet të jenë të unifikuara në të gjithë territorin e vendit, në shërbime publike apo private, ndërkohë që për të mbajtur nën kontroll këtë shërbim Ministria e Shëndetësisë ka vendosur ngritjen e një Task-force. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha sot gjatë një konference për shtyp, se "MSH, duke vlerësuar se duhet të ketë një standard shërbimi në të gjithë territorin e vendit dhe kudo që ai ofrohet, ka vendosur që nga java që vjen të nisë funksionimi i një Task force, me qëllim kontrollin në mënyrë shumë efikase, në mënyrë të veçantë ajo private". Në përbërje të kësaj Task-force do të jenë drejtues të lartë të MSH, njerëz me autoritet shkencor dhe profesional të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, specialistë të njohur në fushën e tyre nga spitalet rajonale, specialistë nga Autoriteti Shëndetësor rajonal i Tiranës. Sistemi shëndetësor privat në vend përbëhet nga spitale, qendra shëndetësore, klinika diagnostike, si dhe nga laboratorë që ofrojnë ekzaminime laboratorike të shumëllojshme. "MSH me shumë përgjegjësi ka marrë në analizë këtë veprimtari dhe ka konstatuar herë pas herë që në klinikat publike vijnë edhe raste që janë trajtuar më parë në klinika apo shërbime private të caktuara dhe ku jo gjithmonë standardi i diagnozës dhe trajtimit ka qenë ai i duhur", tha Vasili, duke theksuar se në vëmendje të shtetit shqiptar, apo dhe medias, duhet të jetë një standard si shërbimi publik, që mbulon peshën dërrmuese të aktivitetit shëndetësor në vend, ashtu dhe ai privat. Verifikimi, sipas tij, do të konsistojë në përputhshmërinë e veprimtarisë shëndetësore me ligjet në fuqi, verifikim i kompetencës profesionale dhe ligjshmërisë së atyre që ofrojnë shërbim, kualifikimit të tyre profesional, niveli përkatës i teknologjisë dhe aparaturës që ofron shërbimin, niveli i kualifikimit të personelit të mesëm infermieror dhe atij ndihmës. "Qëllimi është që çdo qytetar shqiptar në një klinikë, që ka vulën e garancisë së shtetit, të marrë shërbimin shëndetësor që pret dhe që i sigurohet atje", nënvizoi Vasili, sipas të cilit, në këtë mënyrë sigurohet unifikim i standardit si në shërbim publik, edhe privat. Ndërsa vlerësoi punën e deritanishme në këtë drejtim, ai theksoi se "një kontroll i tillë në terren dhe intensiv i ka munguar shërbimit shëndetësor dhe njëherësh rastet dhe ngjarjet e herëparshme të vëzhguara e bëjnë domosdoshmëri të paevitueshme". Rezultatet do të bëhen publike për të informuar opinionin publik mbi sigurinë që u ofrohet në strukturat përkatëse që të jetë i qetë kudo që kërkon të marrë shërbimin shëndetësor. Me lehtësimin e proçedurave të liçencimit për veprimtarinë shëndetësore private, detyra e kontrollit nga ana e MSH rimerr pozicionin e saj në këtë sfond të ri. Më parë kjo veprimtari private liçencohej drejtpërdrejt në MSH, e cila bënte verifikimet e nevojshme. "Tashmë që proçedura ka ndryshuar, ne do të adaptojmë një model të ri në përputhje me ndryshimet e reja për të verifikuar në terren dhe atë që është vetëdeklaruar nga subjektet që kanë ndërtuar shërbime shëndetësore, për të cilat shqiptarët duan të dinë që të jenë të sigurtë", nënvizoi ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. /s.s./
KOMENTE