Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Vlorë, Varri I Pashait , Një Simbol Mes Artit Dhe Legjendës
English

Vlorë, "Varri I Pashait", Një Simbol Mes Artit Dhe Legjendës

-Reportazh- VLORË, 5 qershor/ATSH-H.Koçi/.-Në filmin "Ballë përballë", që u xhirua në bazën e Pashalimanit, 25 km në jug të Vlorës, në mesin e viteve '70-të të shekullit të kaluar, me skenarist shkrimtarin Ismail Kadare, veçohej një detaj, "Varri i Pashait". Ky 'objekt' historik, që shërben si një pikëlidhjeje për mjaft nga skenat, personazhet dhe ngjarjet e filmit, shfaqet për më shumë se një herë në ekran. Filmi, që është një dramatizim i romanit të Kadaresë "Dimri i madh"("Dimri i vetmisë së madhe" në versionin e parë), evokon ngjarjet që ndodhën në Bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit në vitet 1960-1961. Përplasjet mes strukturave ushtarake të dy vendeve, Shqipërisë dhe ish- Bashkimit Sovjetik, pasqyroheshin në këtë bazë në formën më të plotë dhe më të ashpër. Dhe, në këtë mjedis shfaqet herë-herë varri i një pashai, që, sipas personazheve, reflekton simbolin e hershmërisë dhe të fuqisë së kësaj baze, me histori mijëravjeçare, që nis nga periudha e Romës. -Varri i Pashait, një detaj artistik- Sot në mjediset e bazës së Pashalimanit nuk haset askund një element që të të sjellë ndër mend varrin e pashait plak, që i ka dhënë emrin e vet këtij objekti. Duke lëvizur në mjediset e hyrjes së bazës, perceptohen vendet që janë fiksuar edhe në film. Hyrja e portës së bazës, ku, arkeologu i njohur u njoftua se pezulloheshin gërmimet për zbulimin e qytetit antik, vazhdon të jetë pothuajse në të njëjtën gjendje edhe sot. Dy kolonat prej betoni në ngjyrë rozë, janë aty, në hyrje të një mjedisi të veçantë e të heshtur, ku parashikohet të ndërtohet një prej seksioneve më të rëndësishme të kompleksit muzeal të pritshëm: Muzeut të Luftës së Ftohtë. Gëzim Llojdia, drejtor i Parkut Arkeologjik të Orikumit, thotë për ATSH-në se Varri i Pashait nuk ekziston asgjëkundi në këtë vend. "Ka qenë një objekt i sajuar artistikisht, për të evidentuar lashtësinë dhe madhështinë e kësaj baze në shekuj, e cila është vlerësuar mjaft nga Çezari dhe Pompeu, gjatë Luftës Civile romake në vitin 48 para Krishtit dhe më pas, nga turqit, gjatë pushtimit shumëshekullor", thotë Llojdia. Ai tregon me dorë vendet ku është xhiruar filmi, ato që janë jashtë pjesës së mirëfilltë ushtarake të bazës. Ato janë shndërruar në një grumbull godinash të braktisura e të shkatërruara gjatë vitit 1997 dhe që, shumë shpejt do të marrin një pamje tjetër. "Këtu është menduar të ndërtohet Muzeu i Luftës së Ftohtë, ku të gjitha këto godina dhe territori përreth tyre do të konceptohen në mënyrë të tillë, që të fiksojë gjithçka në atë formë që ka ekzistuar dikur, gjatë periudhës kur ne i ishim kundërvënë të gjithë botës së zhvilluar", sqaron Llojdia. Sipas tij, pjesë e kompleksit do të jetë edhe Muzeu i Marinës dhe ai Arkeologjik. Ky mjedis, dikur një nga epiqendrat e aktivitetit të bazës ushtarake detare të Pashalimanit, një nga më të njohurat dhe më të fuqishmet në Mesdhe, sot është mbuluar nga heshtja. Dhjetra metra më në jug, rruga e ngushtë kthehet djathtas, për të shkuar në rrënojat e qytetit antik të Orikut. Ndërkohë, qindra metra më tej, në drejtim të perëndimit, dallohen konturet e anijeve luftarake dhe të bazës ushtarake, ku spikat godina me ngjyrën e detit e uzinës së montimit dhe riparimit të anijeve, një projekt i përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Holandës. Në skajin perëndimor, pranë një skele të vogël, janë ankoruar tre nga katër nëndetëset, që dikur ishin krenaria e bazës. Ato, sot janë të ndryshkura, si kujtim i një kohe që ka mbetur pas, e mbështjellë nga tisi i harresës. -Detaji, i ardhur nga legjenda!- Nuk është saktësuar dhe nuk dihet me siguri origjina e emrit të kësaj baze. Duket se është një emërtim që e ka origjinën sa tek historia, por po aq edhe tek legjendat. Porti i Orikut dokumentohet prej vitit 214 para Krishtit, kur u pushtua nga flota e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Atëhere, sikundër edhe më pas, gjatë konfliktit mes Pompeut dhe Çezarit, limani është njohur me emrin Jeriko. Gjurmët e tij spikasin edhe sot, në hyrje të postbllokut kryesor të kësaj baze. Në kohën e pushtimit osman mori emrin Pashaliman, duke u shndërruar si baza kryesore e marinës turke në perëndim të Perandorisë. Në shekullin XVI përmendet emri i admiralit turk Pir Reizi me veprën e tij KITABI BAHRIYE, që përshkruan disa detaje të gjirit të Vlorës. Një nga emrat e dokumentuar të periudhës së Perandorisë Osmane është ai i një prej komandantëve më të njohur të bazës, Gjedik Ahmet Pasha. Sipas Llojdisë, ndoshta me emrin e tij lidhet edhe ai i bazës së Pashalimanit. /s.s./
KOMENTE