English

Spanjë - Sondazh - Vendësit Nuk Janë Dakord Për Zgjedhje Të Parakohshme

MADRID, 6 qershor /ATSH-AFP/ - Spanjollët nuk janë dakord për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, siç kërkon opozita e djathtë, por tregohen shumë kritikë ndaj kreut të qeverisë socialiste Hose Luis Rodriguez Zapatero, njofton një sondazh i publikuar sot. Shumica prej 53 për qind e të pyeturve janë shprehur në favor të përfundimit të mandatit të Zapateros, që mbaron më 2012 dhe kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, mësohet nga ky sondazh i institutit Metroscopia për gazetën e qendrës së majtë "El Pais". Por, 86 për qind e të pyeturve shprehen se kanë pak ose aspak besim tek kryetari i qeverisë së tyre, i vënë në pozicion të vështirë nga kriza ekonomike, vazhdoi ky sondazh i realizuar më 2 qershor me 506 persona. Shumica dërrmuese e të pyeturve, 84 për qind, mendojnë se Zapatero "improvizon" dhe 76 për qind nuk e miratojnë politikën e tij të administrimit të krizës. Mes zgjedhësve që votuan për të në vitin 2008, vetëm 41 për qind shprehen se do të votojnë përsëri për të në rast zgjedhjesh legjislative. Ndërsa 58 për qind e personave të pyetur janë në favor të një ndryshimi qeveritar. Ky sondazh konfirmon gjithashtu avantazhin e partisë kryesore të opozitës, Partia Popullore, PP, e djathtë, ndaj socialistëve. Në rast zgjedhjesh legjislative, PP-ja do të merrte 43 për qind të votave kundrejt 32,5 për qind që do të merrte Partia Socialiste, ose një avantazh prej 10,5 pikë. Edhe një sondazh i publikuar përpara një jave nga gazeta e qendrës së djathtë "El Mundo" i jepte një avantazh të djathtës me 10,5 pikë. Qeveria e Zapateros është në një situatë delikate pas miratimit më 27 maj nga deputetët, vetëm me një votë më tepër, të planit të saj të masave të rrepta ekonomike që përfshin ulje të pagave të funksionarëve dhe ngrirjen e pensioneve për të përshpejtuar zvogëlimin e deficitit publik të vendit. Një grevë e punonjësve të sektorit publik është parashikuar për të martën. Ekzekutivi njoftoi gjithashtu se do të aprovojë më 16 qershor një reformë të tregut të punës, e kërkuar veçanërisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN, qoftë edhe pa arritjen e një marrëveshjeje mes partnerëve socialë, ndërkohë që papunësia ka arritur në më tepër se 20 për qind të popullsisë aktive. /I.Pu.
KOMENTE