English

Vlore: 21 Piktore Ne "Ditet Vlonjate Te Piktures"

VLORE, 6 qershor/ATSH-H.Koçi/.- 21 piktorë vlonjatë dhe nga qytete të tjera të vendit, u përfshinë në aktivitetin e emërtuar "Ditët vlonjate të pikturës", që u finalizua mbrëmjen e djeshme me një ceremoni, ku u prezantuan punët e realizuara gjatë këtyre ditëve. Për katër ditë me radhë, piktorët, mes të cilëve, Kujtim Buza, Skënder Kamberi, Zeqir Alizoti, Agron Dine, Edi Kojani etj, realizuan punime në pika të ndryshme të bregdetit dhe të qytetit të Vlorës e rrethinave të tij, duke sjellë bukuritë natyrore të kësaj zone. Piro Stefa, organizator i këtij aktiviteti, tha për ATSH-në se, përmes tij u synua të evidentoheshin dhe të promovoheshin vlerat dhe bukuritë natyrore të Vlorës, tani në sezonin turistik, si dhe të krijohej një raport efektiv bashkëpunimi mes artistëve. Në ceremoninë përmbyllëse të "Ditët vlonjate të pikturës", që u zhvillua në mjediset e hotel restorant "Monte Karlo", ishin të pranishëm dhjetra intelektualë dhe artistë vlonjatë. Në një nga mjediset e këtij objekti turistik, ishin ekspozuar punimet e realizuara gjatë këtyre ditëve, ku mbizotëronte peizazhi. Arkitekti dhe karikaturisti i njohur vlonjat, Arben Meksi, kishte realizuar për të gjithë piktorët pjesëmarrës, portrete në karikaturë. "Janë portrete shoqërore, që i kam realizuar gjatë këtyre ditëve", tha Meksi për ATSH-në. Ky është aktiviteti i parë i këtij lloji që zhvillohet në Vlorë. /a.ke/
KOMENTE