English

EULEX: Hetimet për korrupsion në qeverinë e Kosovës vazhdojnë

Prishtinë, 7 Qershor, NOA – Operacioni i hetimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar në institucionet e Kosovës, i nisur në Prill nga EULEX po vijon, dhe tashmë po punohet për mbledhjen e provave të mjaftueshme kundër zyrtarëve të korruptuar përpara se ta dërgojë çështjen në gjykatë.

Zëdhënësja e EULEKS-it, Kristina Herodes, duke mos dhënë koment për njoftimet e mediave kosovare lidhur arrestimet e mundshme gjatë këtyre ditëve, ka deklaruar se hetimet nuk mund të komentohen, përderisa ato vazhdojnë ethshëm, dhe askush nuk mund të paragjykojë se ç’mund të ndodhë apo jo në të ardhmen, pasi hetuesit dhe prokurorët e EULEX-it, nuk mund t’i komentojnë dëshmitë e marra dhe provat jashtë gjykatës, aq më pak në media.

EULEKS-i deklaroi se zyrtarët e lartë të Kosovës janë shprehur të gatshëm të bashkëpunojnë në hetimin e korrupsionit dhe spastrimin e qeverisë nga ministrat e korruptuar, një kërkesë që e mbështet fuqishëm opozita kosovare.

Vetë ministri Thaçi para pak ditësh deklaroi se po hetohen për afera korruptive 111 zyrtarë aktualë dhe të qeverisë së mëparshme.

EULEX e nisi operacionin kundër korrupsionit në institucionet e larta të Kosovës, me bastisjen e ministrisë së Transportit dhe pronave të zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie të drejtuar nga Fatmir Limaj.

Në prezantimin e çështjes para Parlamentit Europian, shefi i misionit të EULEX-it, gjenerali Iv de Kermabo, theksoi se EULEX-i është i vendosur ta hetojë korrupsionin dhe krimin e organizuar nw institucionet qendrore tw Kosovws, pa marrë parasysh as hierarkinë e zyrtarwve dhe pa lejuar ndërhyrje politike nw hetime.

Deri tani asnjë zyrtar i dyshuar për korrupsion nuk është arrestuar, ndërsa mediat kosovare komentojnë ngritjen e aktakuzave të shpejta, të cilat kanë sjellë edhe reagime nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës.

mit/NOA
KOMENTE