English

"Gerdeci", Pinari Akuza Ushtarakëve Për Mosrespektim Te Ligjit

TIRANE, 7 Qershor/ATSH- Andi Myrte/.-Ish-drejtori i Kompanisë "MEICO" në Ministrinë e Mbrojtjes,Ylli Pinari, lëshoi sot akuza të forta ndaj forcave të ushtrisë, duke deklaruar se ato nuk kanë respektuar ligjin lidhur me çështjen "Gërdeci". Në seancën e zhvilluar sot në Gjykatën e Tiranës, ish- drejtuesi i MEICO-s, fajësoi në një deklaratë, Forcat e Armatosura për moszbatimin e ligjit, kryesisht për çështjet që lidhen me sigurinë e procesit të demontimit të municioneve në repartin ushtarak të Gërdecit. Sipas tij, Forcat e Armatosura nuk kanë respektuar vendimin e Këshillit të Ministrave, që përcaktonte që procesi i demontimit të bëhej në repartet e forcave të armatosura në kushte të rrepta ruajtje dhe sigurie si dhe urdhërat e Ministrit të Mbrojtjes, që përcaktonin qartë e prerë që procesi i demontimit të bëhet në repartin ushtarak të Gërdecit në kushte të rrepta ruajtje dhe sigurie si dhe që ruajtja e repartit të Gërdecit të bëhej nga Komanda e Forcës së Bashkuar, KFB. Në deklaratën e tij para Gjykatës, Pinari shprehu shpresën që procesi gjyqësor do të bëjë drejtësi, vetëm duke u bazuar tek ligji dhe jo në atë që e ai e quajti si "lojë jo të ndershme që po bëjnë disa dëshmitarë dhe ndonjë i akuzuar ish- kuadro të lartë të ushtrisë ose edhe që janë aktualisht në detyrë". "Eshtë për të ardhur keq kur këta ish ose që janë ushtarakë të lartë e me detyra të rëndesishme komanduese, Gjenerale, Kolonelë, Nënkolonelë, me detyra Drejtorë, Komandant Brigadash e Shefa Shtabi jo vetëm që nuk i kanë zbatuar urdhërat e Ministrit për detyra të rëndësishme ushtarake, bile pa e vënë fare në dijeni atë, por edhe para Gjykatës në mënyrë absurde po përdorin shprehjet "kështu menduam", "nuk kam dijeni për urdhërin", tha Ylli Pinari, një nga të pandehurit e shumtë të çështjes "Gërdeci". Së bashku me Pinarin, si të pandehurit në këtë proces janë edhe 28 persona, në pjesën më të madhe ish-drejtues të lartë të ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura. Ata akzuohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, kur, si pasojë e një shpërthimi të ndodhur humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur. Çështja "Gërdeci" është hetuar për muaj me radhë nga Prokuroria e Përgjithëshme, e cila e ka cilësuar atë si një nga sfidat e drejtësisë shqiptare./s.s./
KOMENTE