English

Kërkimi shkencor, KURUM, marrëveshje me Fakultetin e Inxhinierisë

Tiranë, 7 qershor, NOA – Modernizimi i universiteteve dhe njohja e praktikës së punës nga studiuesit e ardhshme është venë në prioritet të Ministrisë së Inovacionit dhe e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

Për këtë qëllim, me nismën e kësaj ministrie është mundësuar firmosja e Memorandumit të Bashkëpunimit mes shoqërisë KURUM dhe Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik të Tiranës. Marrëveshja është nënshkruar dhe me Universitetin privat EPOKA.

Ministri i Inovacionit dhe i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit Genc Pollo deklaroi në ceremoninë e nënshkrimit se ky bashkëpunim nxit dhe konkretizon inovacionin teknologjik përmes të cilit zhvillohet ekonomia moderne shqiptare.

“Duke shprehur kënaqësinë për këtë bashkëpunim, mbetem i vendosur që politikat tona zhvillimore të përfshijnë gjithnjë e më tepër inovacionin teknologjik, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e zgjidhjeve të reja teknike, në një mjedis që integron me produktivitet kapacitetet akademike të vendit dhe e bën mjedisin universitar më të aftë për të përfituar nga programet komunitare për kërkimin dhe inovacionin teknologjik”, deklaroi Pollo.

Sipas tij ky bashkëpunim përfaqëson një hap tjetër në realizimin e vizionit të qeverisë për integrimin më të mirë të shkollës shqiptare me kërkimin shkencor, duke e sjellë Universitetin gjithashtu më pranë tregut të punës dhe sferës së prodhimit.

“Vizioni integrues europian i qeverisë gjen në kërkimin shkencor dhe inovacionin teknologjik një prej shprehjeve të veta më të plota”, tha Pollo.

Memorandumet u nënshkruan nga Kryetari i Bordit të “KURUM International Sh.a”. Dr. Zeki Kaya, Dekani i Inxhinjerisë së Ndërtimit pranë UPT Prof.As.Dr. Andrea Maliqari dhe Rektori i Universitetit Epoka Prof. Dr. Hasan Kaplan.

m.xh/NOA

KOMENTE