English

Kritere Të Reja Për Të Përfituar Falje Nga Personat E Dënuar

- Komisioni i Ligjeve nisi sot shqyrtimin e p/ligjit "Për faljen" - TIRANË, 7 Qershor/ATSH/.- Projektligji i qeverisë "Për faljen", i cili përcakton kriteret e reja për të përfituar faljen e Presidentit të Republikës për të gjithë të dënuarit, nisi sot të shqyrtohet nga deputetët në komisionin parlamentar të Ligjeve. Fillimisht, komisioni zhvilloi sot një seancë dëgjimore me organizatat joqeveritare, si Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Grupin Shqiptar të të Drejtave të Njeriut, Dhomën e Avokatisë dhe Avokatin e Popullit, ku merrte pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani. Duke prezantuar projektligjin, ministri Nishani tha se përmes tij, synohet përcaktimi i kritereve dhe procedurave të dhënies së faljes për personat që vuajnë dënime me vendim gjyqësor. Sipas tij, një mjet i rëndësishëm në këtë drejtim janë instrumentet kushtetuese dhe ligjore të amnistisë dhe faljes së dënimeve penale, të cilat përfaqësojnë akte mëshire ndaj të dënuarve dhe si një mundësi për integrimin e tyre social. Në projektligj parashikohet një raport i posaçëm ndërmjet institucionit të Presidentit të Republikës dhe Ministrit të Drejtësisë. Në këtë kontekst, ministri i Drejtësisë sqaroi se qëllimi kushtetues është i qartë dhe një dualitet i tillë kompetencash balancon pushtetet dhe i shërben më mirë ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së interesave të shtetasve nga pushteti. Në vijim, përfaqësues të palëve të interesuara, si Avokati i Popullit, Dhoma e Avokatisë, etj, e vlerësuan këtë nismë si të domosdoshme për përcaktimin e kritereve konkrete në dhënien e faljes, ndërsa dhanë dhe propozime lidhur me çështje teknike të p/ligjit. Pasi diskutimeve të të ftuarve për këtë projektligj, anëtarët e Komisionit të Ligjeve zhvilluan me ta një diskutim të hapur, ku shkëmbyen opinione mbi strukturën legjislative të këtij projektligji, rëndësinë të cilit e vlerësuan në kuadër të reformës në drejtësinë penale. Për hartimin e projektligjit "Për faljen" janë marrë parasysh një pjesë e madhe e vërejtjeve të bëra nga Misioni Euralius II dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale./a.s//n.m/
KOMENTE