English

Sport-Merkato/ Klubet E Superligës Në "Ethet" E Merkatos Verore

TIRANË, 7 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/.- Ekipet e Superligës janë përfshirë nga "ethet" e merkatos verore, që këtë vit parashikohet të jetë mjaft e nxehtë. Disa ekipe kanë konfirmuar kampionët e tyre, ndërsa disa të tjerë po përforcojnë dukshëm skuadrat. I tillë është Shkumbini, i cili pas ardhjes në krye të presidentit Ylli Ndroqi ka firmosur me golashënuesin më të mirë të sezonit të kaluar, Daniel Xhafaj (18 gola), firmosi për edicionin 2010-2011, për një rreth 70 mijë euro. Sulmuesi vlonjat, një nga më të mirët në tregun shqiptar të futbollit, pohoi për mediat se e kishte bindur projekti i presidentit të ri të klubit peqinas, Ylli Ndroqi. Ish-lojtari 33-vjeçar i Besës bëhet kështu lojtari i dytë që ka firmosur brenda pak ditësh te Shkumbini, edhe pse ai i mesfushorit kosovar, Driton Krasniqi, është një rinovim kontrate. Gjithsesi, Xhafaj do të luajë me Besën, fituese e Kupës së Shqipërisë (2010) në Ligën e Europës. Ndërsa, mbrojtësi i majtë, Vllade Markoviç (24 vjeç), firmosi edhe për një vit tjetër me Skënderbeun. Serbi me paraqitjet e tij - 12 ndeshje, 1 gol sezonin e kaluar - ka bindur drejtuesit korçarë, ndërsa firmosi një kontratë të majme me presidentin e Skënderbeut, Agim Zeqo. Në fokusin e Skënderbeut së fundi është edhe sulmuesi durrsak i Besës, Bledar Mancaku. Skënderbeu, 1-herë kampion i Shqipërisë (1933), konsiderohet si një nga ekipet me buxhet të madh për sezonin e ri. Besa, fituesja e Kupës së Shqipërisë dhe pjesëmarrëse në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës, ka arritur një marrëveshje paraprake me shqiptarin nga Maqedonia, Betim Aliu, 20 vjeç. Mesfushori i krahut të djathtë, një lojtar i Kombëtares U-21 të Maqedonisë, më parë ka veshur fanellën e Metalurgut të Shkupit dhe sezonin e fundit ka luajtur në Finlandë me Kupsin. Mesfushori 20-vjeçar është lojtari i dytë që vjen nga Maqedonia te fituesit e Kupës së Shqipërisë, pas Dimitrija Lazarevskit. Ndërkohë presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, ripërteriti kontratat me Orges Shehin, Artion Poçin dhe Bledi Shkëmbin. Sulmuesi i Dinamos, Fatjon Sefa (25 vjeç, 30 ndeshje, 13 gola sezonin e kaluar) do të jetë edhe për sezonin e ardhshëm në shërbim të 18-herë kampionëve të Shqipërisë. Ndërkohë edhe merkato e trajnerëve po bëhet gjithnjë e më interesante. Skënderbeu, pasi firmosi me Mirel Josën, e shkarkoi këtë të fundit pas 24 orësh dhe pritet të nënshkruajë sot me Shkëlqim Muçën. Ndërsa për pankinën e Vllaznisë ka disa kandidatura, por më seriozja duket se është ajo e teknikut të Partizanit, Gerti Haxhiu. /s.s./
KOMENTE