English

Basescu Kërkon Në Tiranë Statusin E Minoritetit Kombëtar Për Arumunët Në Shqipëri

- Në një konferencë për shtyp me Presidentin Bamir Topi, Basescu sqaron edhe qëndrimin e Rumanisë për Kosovën- TIRANË, 8 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Presidenti i Rumanisë, Traian Basescu kërkoi sot, në Tiranë statusin e minoritetit kombëtar për komunitetin arumun në Shqipëri. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidentin Bamir Topi në ambientet e Pallatit të Brigadave, Presidenti rumun ngriti çështjen e statusit të komunitetit arumun në vendin tonë. Ai i shpjegoi homologut shqiptar rëndësinë e dhënies së këtij statusi arumunëve, duke u fokusuar te të drejtat e personave, që i përkasin minoriteteve kombëtare. Në këtë drejtim, Presidenti Basesku nënvizoi trajtimin e mirë që i bëhet minoritetit shqiptar në Rumani. "Rumania konsideron se arumunët janë shtetas të besueshëm të shtetit shqiptar, të cilët këtë gjë e kanë dëshmuar përgjatë historisë", tha Presidenti Basesku. Ndërsa Presidenti Topi deklaroi se "jo vetëm mbi bazën e kuadrit ligjor, por edhe mbi bazën e një realiteti konkret, respekti për çdo qytetar që banon në Shqipëri është i barabartë". Në rastin e komunitetit arumun, Kreu i Shtetit shqiptar theksoi se "ky konsiderohet si një komunitet etno-gjuhësor, dhe kjo është konfirmuar edhe në dy raporte të Këshillit të Europës, që konfirmojnë në mënyrë zyrtare minoritet zyrtare në Shqipëri". "Duke qenë konseguent i linjave që përshkon Këshilli i Europës mbi dokumentat themeltar të saj, ne vazhdojmë t'i qëndrojmë këtij pozicioni, por nga ana tjetër ju siguroj se repekti për cilindo do të jetë në nivelin më të lartë, si nga pikëpamja legjislative, dhe nga pikëpamja konkrete", tha Presidenti Topi. Njohja e pavarësisë së Kosovës ishte ndër temat që u trajtua në bisedimet mes dy homologëve. "Pozicioni i Rumanisë për këtë çështje nuk është fleksibël", tha Presidenti Basescu, duke shtuar "kjo gjë nuk vjen nga mosrespekti për kosovarët, por nga respekti që ka Rumania për të drejtën ndërkombëtare të njerëzve". "Nëse doni të shikoni efektin 'Kosovë', shikoni efektin në Gjeorgji. Këtë gjë ne e kemi parashtruar edhe në arsyetimin për mosnjohjen e Kosovës. Ne do të vazhdojmë të respektojmë vendimet e Këshillit Ndërkombëtar për të respektuar të gjitha të drejtat, pasi për ne kjo është më e rëndësishme. Gjithashtu do ndihmojmë Serbinë për aderimin në BE dhe respektimin e të drejtave ndërkombëtare", tha Presidenti Basescu. Ndërsa, Presidenti Topi theksoi se "nga momenti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës deri më sot kanë ndodhur ndryshime të jashtëzakonshme si në realitetin gjeo-politik në rajon, ashtu edhe në realitetin e brendshëm në Kosovë". Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi dinamikën e njohjeve të Kosovës, ndërsa theksoi se "ky nuk është një proces statik, por është në dinamikë të vazhdueshme". Ai shprehu bindjen se "në bazë të vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare, ky proces do të vazhdojë më shpejt se sa këto dy vite". "Jam optimist pasi këtë proces e ndihmon shumë edhe sjellja e lidershipit politik në Kosovë", tha Topi. Lidhur me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rumanisë, Presidenti Basescu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik, në mënyrë që të mos ndihen efektet e recensionit ndërkombëtar. "Rumania përkrah perspektivën europiane të Shqipërisë dhe shpreson që deri në fund të vitit, Shqipëria do të bëjë hapa të rëndësishëm drejt kritereve të aderimit. Për sa i përket liberalizimit të vizave, ne kemi inkurajuar autoritetet shqiptare të intesifikojnë përpjekjet për qartësimin e aspekteve teknike, që lejojnë adoptimin e një vendimi pozitiv në vjeshtën e këtij viti", tha ai./n.m/
KOMENTE