English

Profesionet e vështira, METE: Jo status, por trajtim i veçantë

Tiranë, 8 qershor, NOA - Rreth 3 mijë persona që kanë punuar apo punojnë në profesionet e kategorisë së parë, të cilësuara të vështira, do të përfitojnë trajtim të veçantë nga shteti deri në mbushjen e moshës së pensionit.

Projektligji për trajtimin e veçantë të profesioneve të vështira i hartuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjetikës (METE) përfshin rreth 117 profesione, përfshi këtu minatorët e metalurgët, duke lënë jashtë punonjësit e industrisë së naftës.Sipas zëvendësministrit të Energjetikës Neritan Alibali kjo është e vetmja zgjidhje për të mos dëmtuar skemën e pensioneve.

Duke parë përvojën ndërkombëtare, menduam që të përfshijmë vetëm kategorinë e parë të profesioneve të vështira, duke lënë jashtë kategoritë e tjera të cilët kanë dhe numrin më të madh të punonjësve, siç janë industria e naftës.

Me të drejtë sindikata e tyre kërkoi të përfshihej në projektligj, por kjo nuk është në dorën tonë. Kategorizimi i profesioneve bëhet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore për efekt të pensioneve”, u shpreh zëvendësministri Alibali.

Sipas projektligjit, trajtimi i veçantë për profesionet e vështira do të jetë një pagë jo më e vogël se pensioni minimal dhe jo më e madhe se dyfishi i pensionit minimal. Zëvendësministri Alibali thotë se personat përfitues duhet të plotësojnë disa kritere siç janë vitet e punës dhe kontributet.

Kështu për të përfituar trajtim të veçantë, personat që punojnë në kategorinë e parë, duhet të kenë mbushur 15 vjet pune dhe të kenë derdhur për 30 vjet kontributet shoqërore.

Projektligji për trajtimin e veçantë të profesioneve të vështira u hartua pas një studimi që u krye mbi përvojën ndërkombëtare. Sipas zëvendësministrit Alibali, në asnjë vend të botës nuk ekzistojnë statuset për profesionet, ndaj formula më e duhur u mendua të ishte trajtimi i veçant. Pas miratimit nga qeveria, projektligji pritet të kalojë për diskutime në parlament.

b.a/NOA

KOMENTE