English

Sport-Botëror/ Alarmi Për Sigurinë, Ngjall Frikë Në Kupën E Botës

- Kaosi në miqësoren ndërmjet Nigerisë dhe Koresë së Veriut ka shkaktuar dyshime për kushtet, ku do të zhvillohet aktiviteti në Afrikën e Jugut -. TIRANË, 8 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Kaosi që u regjistrua të dielën në një qytezë pranë Johanesburgut, ku u zhvillua ndeshja miqësore ndërmjet Nigerisë dhe Koresë së Veriut, ka nxitur të tjera dyshime për kushtet e sigurisë, në të cilat do të zhvillohet Botërori 2010. FIFA ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke bërë të ditur se takimi i luajtur në stadiumin "Makhulong" të Tembisas nuk ka asnjë lidhje me mënyrën si është organizuar aktiviteti në Afrikën e Jugut. Gjithsesi, shifrat tregojnë se problemet jashtë stadiumit shkaktuan të paktën 20 të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ngjarja është diskutuar gjerësisht në gazetat e vendit afrikan, të cilat nënvijëzonin se forcat e rendit do të përballen me një punë kolosale për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla gjatë Kupës së Botës. "15 të plagosur gjatë një dyndje për futbollin", ishte titulli i "The Star", ndërsa "The Citizen" shkruante: "Turmë në stadium, 20 tifozë të plagosur". Por, Riç Mkhondo, zëdhënës i Komitetit Organizativ e ka anashkaluar atë që ndodhi, duke e vendosur theksin kryesisht te problemet e trafikut. "Shqetësimi ynë kryesor është që njerëzit të lënë makinat në shtëpi, për të mos u bllokuar në rrugët rreth stadiumeve", deklaroi ai në një radio lokale. Megjithatë, në kujtesën e afrikanojugorëve është kthyer makthi i vitit 2001, kur gjatë një derbi që po luhej në "Elis Park", (stadium i Johanesburgut) ku do të zhvillohen disa ndeshje të botërorit, turma e shkaktuar nga tifozët pa bileta që kërkonin të futeshin në stadium, shkaktoi 43 të vdekur. Pas ngjarjes me miqësoren Nigeri-Kore e Veriut, numri 1 i FIFA-s, Sep Blater foli publikisht për sigurinë. Ai tha me bindje se ndeshjet e evenimentit madhor do të jenë shumë të sigurta: "Problemet që ndodhën gjatë kësaj miqësoreje nuk do të përsëriten në asnjë prej ndeshjeve të botërorit. Këtë ua them me siguri". Ndërkohë, zyrtarë të tjerë të FIFA-s dhe përfaqësuesit e organizatorëve të aktivitetit shtuan se "kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me Kupën e Botës. Bëhet fjalë vetëm për një aksident". Megjithatë, mbetet për t'u theksuar se kur kanë mbetur vetëm tri ditë nga nisja e Botërorit 2010, tensioni është i dukshëm. Forcat kryesore të policisë po mbajnë nën vëzhgim të vazhdueshëm zonat turistike, stadiumet, hotelet, parqet dhe gjithçka që lidhet me aktivitetin. Por, ka edhe shumë zona ku kriminaliteti lëviz lirshëm. Mediat në Afrikën e Jugut theksojnë se në pjesët e qyteteve që nuk ndodhen pranë stadiumeve, ku policia po qarkullon më pak, janë regjistruar vjedhje dhe grabitje të shumta. Për këtë arsye është bërë thirrje që banorët të mbyllen nëpër shtëpi dhe të sigurojnë mirë makinat. Zonat e hoteleve ku janë akomoduar 32 skuadrat pjesëmarrëse dhe fushat stërvitore kontrollohen me kujdes, megjithatë nuk këshillohen shëtitjet pas orës 17:30, kur fillon të errësohet. Shqetësimi është i madh, sepse sipas statistikave të vrasjeve, grabitjeve dhe përdhunimeve, Afrika e Jugut mbetet vendi më i dhunshëm në botë. Gazetarët e akredituar nga FIFA do të qarkullojnë nëpër qytetet ku do të zhvillohet futbolli me roje, ndërsa ata që janë më të frikësuar do të veshin xhupa antiplumb gjatë spostimeve. Të frikësuar janë edhe tifozët. Fillimisht FIFA kishte parashikuar 500 mijë fansa nga e gjithë bota që do të udhëtonin drejt Afrikës së Jugut, por tashmë numri ka zbritur në 250 mijë. Gjermanët e italianët, por mbi të gjithë anglezët, kanë hequr dorë nga dëshira për të mbështetur skuadrat e tyre në Kupën e Botës. Frika e madhe dhe çmimi shumë i lartë i udhëtimit, ka shkaktuar rritjen e numrit të atyre që do t'i ndjekin ndeshjet nga televizori./n.m/
KOMENTE