English

Usaid:Qendra E Licensimit Shënon Një Epokë Të Re Zhvillimi Për Sektorin Publik E Privat Në Shqipëri

TIRANË, 8 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Qendra Kombëtare e Licensimit (QKL) shënon një epokë të re zhvillimi për sektorin publik e privat në Shqipëri, tha sot përfaqësuesi i USAID-t, në Tiranë Sean Huff, në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 1-vjetorit të hapjes së saj. Përfaqësuesi i USAID përgëzoi qeverinë shqiptare për bashkëpunimin e frytshëm në ngritjen e QKL-së, me qëllim thjeshtimin e procedurave të licensimit dhe lehtësimin e punës së bizneseve. "QKL ka shkurtuar kohën dhe burokracinë që i ka penguar më parë bizneset të aplikonin dhe të merrnin licensa nga shteti. Kjo Qendër shënon një epokë të re zhvillimi për sektorin publik dhe privat në Shqipëri", tha Huff. Ai vlerësoi rolin e QKL-së- në vendosjen e një standarti të lartë në modernizimin e sektorit publik, karakterizuar nga procedura të thjeshta transparence, përdorimi i teknologjisë së informacionit dhe shërbimit për klientin, duke reduktuar dhe korrupsionin në procesin e aplikimit për leje e licensa. Qendra Kombëtare e Licensimit u ngrit një vit më parë me mbështetjen e fazës së dytë të Programit Prag MMC Shqipëri (MMCA 2). Ky program është pjesë e marrëveshjes 2-vjeçare, me vlerë 15.7 milion dollarë ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së, financuar nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit dhe e administruar nga USAID, që ka si qëllim forcimin e shtetit ligjor, reduktimin e korrupsionit, rritjen e mbikqyrjes përmes zgjidhjeve të teknologjisë së informacionit dhe ndihmës teknike, duke përmirësuar klimën për biznes në Shqipëri./n.m/
KOMENTE