English

Gjykata: Vijojnë Deshmitë Për Ngjarjen E Qafë Gjashtës

TIRANË, 9 Qershor/ATSH/ . - Vijojnë në Gjykatën e Krimeve të Rënda dëshmitë për ngjarjen e rëndë të vitit 1997 në zonën e Qafë Gjashtës në Sarandë, ku një grup personash të armatosur vranë një punonjës të Policisë së Shtetit si dhe plagosën disa të tjerë. Gjatë seancës së zhvilluar sot, dëshmitari i radhës i prokurorisë, Gani Fevzia, një burrë i moshuar nga Kuksi me banim në Qafë Gjashtë, rrëfeu momente nga ngjarja e ndodhur para 13 vjetësh. Duke folur para Gjykatës, ai kujtoi se ndodhej në shtëpi, kur kishte dëgjuar shpërthimin e një bombe që i kishte shkatuar gjendjen e të fikëtit një anëtari të familjes së tij dhe më pas të shtëna armësh. "Dola nga shtëpia dhe duke shkuar për në lokalin e vogël që kisha rreth 200 metra larg, dëgjova njërin që thoshte "mos e vrit", tha më tej dëshmitari duke treguar se kishte parë edhe një grup personash por, pa njohur ndonjë prej tyre. Më pas ai pohoi se kishte mësuar nga një fqinj i tij që në atë ngjarje ishte vrarë dhe më pas djegur punonjësi i Policisë së Shtetit, Gjergj Mehmeti, si dhe ishte plagosur një tjetër. Ngjarja e rëndë ndodhi me 4 mars te vitit 1997 në Qafë Gjashtë të Sarandës, kur një grup personash të armatosur sulmuan disa efektivë të policisë, duke vrarë e më pas djegur punonjësin Gjergj Mehmeti si dhe plagosur disa të tjerë. Grupi i efektivëve të Policisë ishin duke udhëtuar drejt Vlorës. Ata kishin qenë në Sarandë me detyrën që të ringrinin komisariatin e policisë që ishte bërë jo funksional si pasojë e trazirave të vitit 1997. Si të pandehur në këtë proces janë shtetasit: Vladimir Sinani, Eduart Cipa, Alqi Paguni, Admond Sejko, Agron Qurku, Aleksander Bala, Mikel Kendezi, Nestor Sinani, Arben Kendezi, Ristan Lapa, të cilët akuzohen si autorë të ngjarjes së rëndë të ndodhur në Qafë Gjashtë. Ndaj tyre rëndojnë akuzat e "Vrasjes ne rrethana te tjera cilesuese" ndaj punonjësit të policisë, "Vrasjes ne rrethana te tjera cilesuese" e mbetur ne tentative, si dhe "Armembajtje pa leje". /a.m//a.ke/
KOMENTE