English

Nis Konkursi Ndërkombëtar “Sotiri”

Tiranë, 9 Qershor, NOA /Milena Selimi – Më 12 qershor 2010, nis konkursi ndërkombëtar për fotografë të rinj “Sotir”, në edicionin e tij të tretë. Ky konkurs organizohet prej disa vitesh në qytetin e Korçës dhe synon të përforcojë një traditë të re të zhvillimit dhe promovimit të fotografisë dhe vlerave të saj në Shqipëri.

Ky projekt kulturor sjell së bashku fotografë të rinj shqiptarë dhe të huaj për të promovuar fotografinë si një formë e shprehjes dhe dinamikës së artit bashkëkohor e shoqërisë në zhvillim.

Aktiviteti sjell të parin Çmim Ndërkombëtar të Fotografisë dedikuar të rinjve në Shqipëri që prej vitit 2008.

Çmimi “Sotiri”, është një konkurs ndërkombëtar për fotografë të rinj, i cili organizohet nga Qendra Kulturore Lindart.

Aktiviteti e nisi rrugën e tij fillimisht në kuadrin e Projekt 5.6, të financuar nga SCP in the Vestern Balkans.

Edicioni i parë i konkursit për fotografë të rinj “Sotir” hapi dyert në Korçë në 15 Maj 2008. Bashkia Korçë në vazhdën e promovimit të vlerave të trashëgimisë dhe traditës me dashamirësi mikpriti këtë event të rinjsh të organizuar nga të rinj. Çmimi ndërkombëtar për fotografë të rinj Sotir ngjall interes në publik dhe promovon bashkë me aktivitetin edhe vlerat e qytetit të Korçës.

Aktiviteti mban emrin e fotografit korçar Kristaq Sotirit (1883-1970), i cili u formua si fotograf në studion Steckel në SHBA. Ai mësoi atje jo vetëm bazat e fotografisë dhe teknikës së portretit, por u njoh edhe me piktoralizmin, mjaft në modë në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX. Sipas Fransua Sheval, drejtor i muzeut Nisefor Nieps në Francë, Sotiri ishte mjeshter në kapjen e çastit të duhur dhe në kompozimin inteligjent të ngjarjeve dhe portreteve të njerëzve të qytetit të tij, që ai i njihte mirë..., këta portrete i jepnin Sotirit mundësinë të përdorte 'piktoralizmin' mbi këta portrete të bukura, gjë që e bëjnë këtë koleksion një gjë të rrallë...

Për të promovuar këto vlera të fotografisë shqiptare dhe për të ndërtuar një traditë të re të zhvillimit dhe promovimit të fotografisë në Shqipëri, për të promovuar risitë në fushën e fotografisë bashkëkohore, ky aktivitet do të sjellë fotografë të rinj dhe artistë nga e gjithë bota në një ekspozitë dhe në një panel diskutimi në qytetin e bukur të Korçës.

Çmimi Sotiri realizohet në partneritet me Bashkinë e Korçës dhe nën kujdesin e kryebashkiakut, Niko Peleshit.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE