English

Rama: Për çdo lajm të keq që mund të vijë nga Europa, faji do të jetë i Berishës

Tiranë, 9 qershor, NOA- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi sot se situata ekonomike në vend po rëndohet çdo ditë, si pasojë e mungesës së një vizioni të qartë të qeverisë.

Duke e lidhur situatën ekonomike me atë politike, ai ka theksuar se kjo e fundit, duhet të zgjidhet për integrimin e vendit. “Për çdo lajm të keq që mund të vijë nga Europa ditë pas dite faji do të jetë vetëm i Sali Berishës. Ashtu siç është vetëm i Sali Berishës faji për hendekun e madh mes Shqipërisë së sukseseve të tij imagjinare dhe Shqipërisë së shqiptarëve që përditë e më shumë fundi i muajit i gjen me xhepin bosh”, tha Rama.

Në një deklaratë për mediat, Rama ka theksuar se rritja e varfërisë dhe problemet e tjera ekonomike janë faktet që hedhin poshtë pretendimet e mazhorancës për situatë të mirë ekonomike.

“A ka shqiptar të logjikshëm që ta besojë se ne jetojmë në vendin me zhvillimin më të shpejtë në botë, ndërkohë që varfëria rritet çdo ditë, me ekonominë më të shëndetshme në botë, ndërkohë që papunësia rritet çdo ditë, me qeverinë më të suksesshme në botë, ndërkohë që korrupsioni rritet çdo ditë e çdo ditë ndodhin krime të padëgjuara më parë, dhe me kryeministrin më të mirë në botë, ndërkohë që zotëria ka frikë të hapë kutitë e votimeve nga ka dalë?” tha Rama

Kryetari i PS-së e ka lidhur situatën ekonomike me mungesën e transparencës. Ai ka theksuar se Partia Socialiste nuk do të pushojë së kërkuari gjetjen e rrugëve të arsyeshme për të dalë nga kjo situatë.

“Sali Berisha grabiti zgjedhjet dhe tani po shkatërron ekonominë. Premtoi 160 mijë vende të reja pune dhe deri tani ka mbyllur 100 mijë. Premtoi investime publike e private dhe tani po shkatërron sipërmarrjen me gjoba për të mbushur arkën e boshatisur të shtetit. Premtoi rritje të fuqisë blerëse dhe ndërkohë që çmimet janë rritur me herë, thotë do rrisë pagat ndryshe nga çdo vend në botë”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se wshtë koha për të folur hapur me shqiptarët e “për t’u treguar të vërtetën e krizës, duke nisur nga transparenca e zgjedhjeve që do të çlirojë votën e tyre dhe do t’i bëjë qytetarët gjykatësit e vërtetë të qeverisjes e të politikës”.

m.xh/NOA

KOMENTE