English

Miratohen Propozimet E Ps-Së Për Plotësimin E Vendeve Vakante Në Disa Struktura Të Kuvendit

TIRANË, 10 Qershor/ATSH/.- Kuvendi miratoi sot në seancë plenare propozimet e grupit parlamentar të PS-së për plotësimin e vendeve të mbetura vakante nga opozita në disa struktura të Kuvendit. Sipas propozimeve të paraqitura, Namik Dokle caktohet në postin e nënkryetarit të Kuvendit, Valentina Leskaj u përzgjodh kryetare e komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Et'hem Ruka, kryetar i komisionit për Punën dhe Çështjet Sociale dhe Ermelinda Meksi, kryetare e komisionit për Integrimin Europian. Në postet e nënkryetarëve në komisionet parlamentare, Fatmir Xhafa u përzgjodh për postin e nënkryetarit të komisionit të Ligjeve, Arta Dade nënkryetare e komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli do të jetë nënkryetare e komisionit të Ekonomisë, Ilir Gjoni në postin e nënkryetarit të komisionit të Sigurisë dhe Ilir Beqaj, nënkryetar i komisionit të Veprimtarisë Prodhuese. Gjatë seancës së sotme në çështjet jashtë rendit të ditës deputetët diskutuan për situatën ekonomike, transparencën e zgjedhjeve, imunitetin e parlamentarëve, etj. Gjithashtu, pas diskutimeve nga kryetarët e Grupeve Parlamentare, Kuvendi miratoi Programin e Punës dhe Kalendarin e Trejavor të Punimeve të Kuvendit, projektrezolutën "Për raportin e Prokurorit të Përgjithshëm për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2009", si dhe ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe të evazionit fiskal për taksat mbi të ardhurat dhe kapitalin. /a.s//a.ke/
KOMENTE