English

Sport-Speciale / 10 Yjet E Botërorëve Nga Pele' Tek Baxho

TIRANË, 10 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Më të mirët e më të mirët. Më të shkëlqyerit e 18 Kampionateve Botërore. Një listë e përzgjedhur me kujdes. Faqja sportive "Eurosport" ka stiluar një renditje unike të 10 futbollistëve më të mirë të planetit, të atyre që kanë lënë gjurmë të thella në memorien e të gjithëve, që kanë vendosur rekorde si braziliani Pele (tri herë kampion i botës), kanë dëshmuar aftësi të jashtëzakonshme në driblim, kanë pasur jetëgjatësinë më të madhe në finalet e Botërorëve si, gjermani Mateus (pjesëmarrës në pesë Botërore), apo gjeni të tillë si Johan Krujf dhe virtuozë si Mishel Platini dhe Roberto Baxho. 1 - Pele (Brazil) Edison Arantes do Nascimento apo shkurt "Pelè". Gazeta britanike "Sunday Times", menjëherë pas finales së Botërorit të vitit 1970, pyeste se duhej të përshkruhej Pele. Pyetja e shtruar: "Si e gërmëzoni ju fjalën Pele?, sipas gazetës ishte "G-O-D" (Zoti). Pele, i mbiquajtur "Perla e zezë" është i njohur sidomos me pagëzimin "O Rei" (Mbreti). Pele mban akoma rekordin e golave të realizuar në karrierën e tij: 1281 gola në 1363 ndeshje të luajtura. Është i vetmi lojtar në historinë e futbollit që ka fituar tre Kampionate Botërore: 1958, 1962 e 1970. 2 - Diego Armando Maradona (Argjentinë) Fitoi vetëm një Botëror, por e fitoi praktikisht si një solist. Që është një prej më të mëdhenjve nuk ka mbetur për ta zbuluar sot: është shndërruar në një prej personazheve më të diskutuar të historisë së futbollit. Goli i realizuar kundër Anglisë në çerekfinalet e Kampionatit Botëror të Meksikës është votuar si më i bukuri i të gjithë historisë së Botërorëve. 3 - Johan Krujf (Holandë) Nuk e kishte numrin 10 në bluzën e tij, por numri "14" i tij mund të lexohet edhe si "10". Interpretuesi më i kualifikuar i "futbollit total", me të cilin Ajaksi dhe Holanda e viteve 1970 ishte e dashuruar pafundësisht. Krujf fitoi tre "Topa të artë", por befasisht humbi Botërorin e vitit 1974 kundër Gjermanisë. Një karrierë unike e parë në mënyrë "totale". Është e famshme fraza me të cilën Di Stefano e prezantoi: "Nuk është një sulmues, por shënon shumë gola; nuk është një mbrojtës, por nuk humbet kurrë një dyluftim; nuk është një regjisor, por luan çdo top në interes të shokëve.". 4 - Zinedin Zidan (Francë) Kujtimi i "Zizu" është i freskët. Me dopjetën në finalen e Botërorit të vitit 1998 është për francezët akoma edhe më i rëndësishëm se Platini. Sigurisht, mënyra se si ai e përfundoi karrierën e tij nuk ishte mënyra më e mirë për të kujtuar një lojtar për atë që dhuronte në fushë, ndoshta nuk mund të vijë kurrë një lojtar që vallëzonte në mesin e fushës me topin në këmbë. 5 - Mishel Platini (Francë) Regjisor superfin, mesfushor trekuartist i klasit ndërkombëtar dhe për më tepër një golashënues i dorës së parë: tri herë "pichichi" (golashënuesi) më i mirë i Serisë A. Ky ishte "Le Roi Mishel " (Mbreti Mishel), një që e ka fituar këtë nofkë ("Mbreti), pikërisht falë teknikës së tij të pakufishme dhe qëndrimit të tij natyral e që bëri një lider të padiskutueshëm, me Juventusin dhe me bluzën e Kombëtares franceze. Mori pjesë në tri faza finale të kampionateve botërore. Rezultati i tij më i mirë ishte i treti në vitin 1986, edhe pse kulmi i karrierës së tij ishte Europiani i fituar në vitin 1984: ishte kryegolashënuesi i këtij edicioni me 9 gola në vetëm 5 ndeshje. 6 - Ziko (Brazili) Artur Antunes Koimbra, apo siç njihet publikisht "Zico". Në atë kohë "France Football" nuk i kishte hapur akoma "kufijtë", që Ziko të fitonte "Topin e artë" të revistës franceze, por ai kishte fituar "Topin e artë" të Amerikës së Jugut (1977, 1981 e 1982). Thelbësor në regji dhe në driblim, Ziko kishte një gjuajtje të pabesueshme: një nga karakteristikat e tij kryesore ishin goditjet e dënimit. Tre Botëroret në të cilat ka marrë pjesë: 1978, 1982 dhe 1986, por asnjë fitore. Për të ardhur keq për dikë që për Kombëtaren e tij, përfshirë dhe ndeshjet jo zyrtare ka realizuar 66 gola në 88 ndeshje. 7- Lotar Mateus (Gjermani) Ndoshta nuk e ka teknikën e lojtarëve të mëdhenj, por sigurisht që i madhi Lotar është një prej atyre që ka më shumë të drejtë të përfshihet në këtë klasifikim: pesë Botërorë të luajtur (1982, 1986, 1990, 1994 e 1998), në të cilën atë të vitit 1990 të fituar nga Gjermania ishte protagonist. Me 25 ndeshje të luajtura, Mateus është edhe lojtari që ka zhvilluar më shumë ndeshje në finalet e Botërorëve. Inter dhe Bajerni i Munihut janë skuadrat për të cilat në karrierën e tij të jashtëzakonshme, që i dha mundësinë për të fituar përveç "Topit të artë" në vitin 1990, edhe Kampionatin Europian 1980. 8 - Xhuzepe Meaca (Itali) Simbol i Italisë kampione të botës në vitin 1934 dhe 1938, Meaca ishte ndoshta talenti i parë më i madh i Kombëtares "axurre" në nivelin ndërkombëtar e që i dhuroi italianëve edhe dy nga katër botërorët e fituar deri tani. I jashtëzakonshëm në driblim dhe i shpejtë me topin në këmbë, Meaca ishte lojtari mbi të cilin mbështetej Kombëtarja e Italisë. E veçantë mënyra se si i gjuante penalltitë: me pas të dyfishtë. Me 33 gola, i dyti vetëm pas Rivës, është "topçiu" i dytë më i mirë i të gjitha kohërave të Italisë. 9 - Huan Alberto Skiafino (Uruguai) Kampion i botës me Kombëtaren uruguaiane në Botërorin e vitit 1950 është konsideruar si një prej më të mëdhenjve në historinë e futbollit. Kujtimi i tij është ndoshta pak i largët, e ka nevojë pak edhe për rifreskimin e memories. Skiafino ishte një lojtar i pajisur me një teknikë super-fine, plus vizionit të lojës dhe inteligjencës taktike, jashtë të zakonshmes: autori i golit të Uruguait që barazoi rrjetën e avantazhit të Brazilit në finalen e Botërorit të vitit 1950 (Giga shënoi golin 2-1 të finales). Skiafino, ka luajtur edhe me Milanin e Romën, madje veshi edhe në katër ndeshje fanellën e Kombëtares së Italisë. 10 - Roberto Baxho (Itali) Tri janë fazat e Botërorëve në të cilat "Divin Codino" ka marrë pjesë e sigurisht edhe ka shënuar gola: "Italia 1990", "SHBA 1994" dhe "Francë 1998". Me 27 gola të realizuar është një prej golashënuesve më të mirë të Kombëtares italiane. Një talent i jashtëzakonshëm dhe i dashuruar me golin, Baxho është një prej lojtarëve më të dashur të pasionuarve të futbollit italian. Edhe pse ka pasur shumë dëmtime gjatë karrierës, gjithmonë ka bërë ndeshje të mëdha: një shembull për të gjithë. /a.ke/
KOMENTE