Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Vëzhgim-Botëror / Tirana Nën Ethet' E Kupës Së Botës
English

Vëzhgim-Botëror / Tirana Nën "Ethet' E Kupës Së Botës

TIRANË, 10 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Evenimente të tilla si Kampionati Botëror i futbollit, zhvillohen çdo katër vjet dhe i gjithë planeti ështe i përqëndruar për të parë se çfarë do të ndodhë gjithë këtij muaji dhe sigurisht që tifozët do të mbështesin skuadrat e tyre të preferuara. Jashtë kësaj tabloje nuk ka mbetur as kryeqyteti shqiptar, Tirana, e cila në prag të këtij kampionati Botëror po përgatitet seriozisht për të ndjekur eventin më të madh futbollistik të botës. Shumë shqiptarë janë tifozë me ekipet pretendente për titull, Brazilin, Argjentinën, Anglinë, Italinë, Gjermaninë, Holandën etj dhe kanë nisur organizimet me kohë. Më të interesuarit për këtë muaj janë pronarët e lokaleve si dhe pikat e basteve, të cilët po bëjnë të pamundurën për të krijuar kushte sa më të përshtatshme që klientët e tyre të ndjekin çdo minutë, të 64 takimet e kampionatit botëror. Dihet rëndësia që ka Kupa e Botës dhe popullaritetin që gëzon në vendin tonë. Kryeqyteti shqiptar, por edhe qytete të tjera të Shqipërisë, kanë krijuar një atmosferë të vërtetë sportive. Nisur nga eksperienca e eventeve të kaluara, lokalet pritet të shndërrohen në stadiume të vogla ku tifozët-klientë vishen me uniformat e flamujt e ekipeve të Botërorit. Lokalet kanë nisur përgatitjet nga ana e tyre, për të krijuar një atmosferë sa më sportive. Disa nga pronarët në zonën e "Ish-Bllokut" kanë nisur restaurimet e tyre, për një sistem të ri, para finaleve të Kupës së Botës. Mjaft lokale kanë vendosur ekrane të mëdha, për transmetimet televizive, por janë vendosur edhe dekore të veçanta si, foto, banderola apo flamuj të ekipeve dhe lojtarëve kryesorë të Botërorit. "Në çdo aktivitet sportiv, por sidomos në ndeshjet e rëndësishme të futbollit, ne vëmë në disozicion një ekran të madh në hapësirën përpara lokalit", shprehet për ATSH-në, Marko, pronari i bar "Roteor", duke treguar nga një ekran gjigand dhe nga një projektor. Gjithsesi, ky ekran vlen vetëm për ndeshjet e mbrëmjes, ndërsa për takimet e orës 13:30 Marko shpjegon se ka televizorë të tjerë brenda lokalit që sigurisht transmetojnë në teknologjinë më të fundit HD. Shembullin e "Roteor"-it e kanë ndjekur edhe lokale të tjera në Tiranë. Vetëm po të kalosh në zonën e "Ish-Bllokut" të zë syri dhjetra lokale që në lulishtet e tyre kanë vendosur një ekran të bardhë gjigand dhe një projektor ku do të transmetohen ndeshjet e kampionatiti botëror. Sigurisht i gjithë ky investim bëhet, pasi fitimi për lokalet pritet të jetë i madh. "Si në ndeshjet e Ligës së Kampioneve, ashtu edhe për kampionatin Evropian 2 vite më parë, kemi përdorur këtë system për të tërhequr klientelën tonë. Shpresoj që gjatë muajit të kampionatit Botëror fitimet të jenë më të mëdha se gjatë Ligës së Kampioneve", thotë Marko, i cili pyetjes së ATSH-së mbi rritjen apo jo të çmimeve gjatë këtij muaji, i përgjigjet me buzëqeshje. "Ëshë normale që në një periudhë kur klientela është më e madhe pikërisht prej një ngjarjeje të caktuar, çmimet të pësojnë edhe rritje. Megjithatë, ende nuk kemi vendosur asgjë, pasi të gjithë lokalet e zonës kërkojnë që të kenë çmime pothuajse të njëjtë. Gjithsesi, për një gjë ju siguroj, ekspresi do të jetë i mbyllur, sidomos në ndeshjet e mbrëmjes". Përsa i përket klientelës që pritet të ndjekë ndeshjet, Marko thotë se nisur nga eksperiencat e mëparshme, ndryshe nga sa mund të mendohet, klientët nuk janë vetëm meshkuj. "Muajin e kaluar në fazën finale të Ligës së Kampioneve klientela nuk përbehej vetëm nga meshkuj, por edhe nga femra që ishin mjaft të interesuar dhe nga një herë edhe më tepër tifoze sesa vetë meshkujt", u shpreh Marko. Ndërkohë, këtë muaj ata që "fërkojnë duart" për përfitimet që pritet të marrin nuk janë vetëm pronarët e lokaleve, por edhe pronarët e pikave të basteve sportive. Kampionati botëror për ta është si një 'minierë ari", ku përgjatë një muaji fitimet llogariten të jenë mjaft të mëdha. Të gjithë tifozët kanë një rast të mirë për të vënë shuma të mëdha për parashikimin e një ndeshjeje të vetme. Për një muaj kompanitë e basteve në vendin tonë, ashtu si në të gjithë botën, do të kenë intensitetin më të lartë të punës, për gjatë gjithë vitit. Skuadra që kuotohet më pak, vetëm 5.2, është kampionia në fuqi e Evropës, Spanja, ndërsa e dyta vjen përfaqësuesja e Brazilit me 5.8. "Nga eksperiencat e kaluara, muaji i Botëorit është më fitimprurësi për bastet dhe mund të krahasohet vetëm me periudhën përfundimtare të Ligës së Kampioneve, për nga sasia e basteve që vihen", shpjegon për ATSH-në, Vladimiri, pronari i një pike bastesh pranë Ambasadës Amerikane. "Mund të vihen baste për gjithçka, cili ekip del kampion, cili ekip del i pari në grup, kush del golashënuesi më i mirë, etj. Gjithashtu, ndeshjet mund të luhen LIVE, ku paratë e fituara të bastit merren që në momentin e fitores dhe nuk duhet pritur dita tjetër", thotë Vladimiri. Pra, Tiranën e kanë zënë "ethet" e Botërorit "Afrika e Jugut 2010", ndërsa qytetarëve të saj nuk u mbetet gjë tjetër vetëm të ulen dhe të shijojnë spektaklin që do të ofrojë për një muaj deri në 11 korrik loja magjike e futbollit. /a.ke/
KOMENTE