English

Berisha: Askush Nuk Mund T'A Pengojë Rrugën E Integrimit Evropian Të Shqipërisë

ORÇË, 11 Qershor/ATSH- Flora Nikolla/- Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar të premten nga Korça se, askush nuk mund ta pengojë rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, e cila siç u shpreh ai "është një rrugë e mundimshme, një rrugë dinjiteti, një rrugë me djersë, por e sigurt drejt suksesit". "Sot në Shqipëri po përhapet si një makth antikultura e bllokut me ardhjen në krye të PS-së të pinjollëve të Byrosë Politike dhe të bllokut të vjetër. Në Shqipëri, nga mëngjesi deri në darkë, bëhet çdo gjë që të shkelmohet nga këta shokë apo zotërinj mbi interesat tuaja jetike. Çdo minutë, çdo orë, çdo ditë shpifin dhe mashtrojnë vetëm e vetëm që të errësojnë rrugën tonë evropiane", tha Kryeministri Berisha, pas ceremonisë së përurimit të rikonstruksionit të shkollës së mesme profesionale "Fan Stilian Noli" në qytetin në juglindje të Shqipërisë. Duke u ndalur tek situata politike në vend, Berisha kujtoi se "këta shokë apo zotërinj, në momentin më kulmor kur do të vendosej për të hapur negociatat për statusin e vendit kandidat në BE, qëndruan jashtë parlamentit vetëm e vetëm që vendimi të mos merrej. Në momentin më kyc, kur do të vendosej për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët, ata ngritën çadrat në bulevardin kryesor të kombit dhe organizuan të ashtuquajturën grevë urie, vetëm e vetëm që Evropa të mos vendoste për heqjen e vizave për ju dhe fëmijët tuaj". Ata, vijoi Berisha, bëjnë çdo përpjekje dhe lëshojnë çdo thirrje që të bllokojnë këtë proces, por jam sot këtu për t'u zotuar para jush se asgjë në rrugën tonë drejt Evropës nuk do mund të ndalet. "Edi Rama le të kalojë nga kutia në bunker dhe nga bunkeri në kuti, sa herë të dojë", nënvizoi Kyeministri. Berisha solli në vëmendje dhe zgjedhjet e 28 qershorit, që siç u shpreh ai, "ishin më të ndershmet, më të qytetëruarat në historinë e ketij vendi, zgjedhje, të cilat bënë të mundur që 27 ministrat e qeverive të vendeve anëtare të BE-së të votojnë për Shqipërinë për të hapur negociatat për statusin e kandidatit". Këto zgjedhje, tha Berisha, bënë të mundur dorëzimin e pyetësorit për statusin e kandidatit, bënë të mundur që KE të propozojë heqjen e vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kryeministri u ndal dhe në arritje të tjera pozitive të Shqipërisë në këto 5 vitet e fundit. "Nga një vend i papërfillur, nga një vend për të cilin shkruhej zi e më zi, me reforma të thella e të gjithanshme, me një vendosmëri e përkushtim, ne ia dolëm që Shqipëria të bëhej anëtare e NATO-s. Me luftën kundër korrupsionit, me luftën kundër krimit të organizuar, reformat e thella ekonomike, bëmë që Shqipëria dhe ekonomia e saj të qëndrojë në këtë krizë botërore, më mirë, më solide se cdo ekonomi tjetër në Evropë", u shpreh Kryeministri, duke theksuar se "e vogël, por e fortë është ekonomia e këtij vendi". Kreu i qeverisë u shpreh optimist se, ky vit do të jetë edhe më i mbarë se viti që shkoi dhe do të realizojë të gjitha objektivat duke përfshirë rritjen e parashikuar të rrogave dhe pensioneve të 820 qytetarëve shqiptarë, punonjësve të administratës, dhe pensionistëve. "Në këto 5 vite ne kemi ndërtuar më shumë se në tërë jetën tonë idealet tona evropiane, idealet tona euroatlantike", përfundoi Berisha. /k.sh/
KOMENTE