English

Reportazh/ Krumë: Biznesi Privat, Në Pritje Të Emigrantëve

KRUMË, 11 qershor/ATSH-R.Hoxha/ - Këto ditë edhe pse përvëluese, shënojnë kulmin e punës së biznesit privat në qytetin e vogël të Krumës, me 4000 banorë. "Këto ditë jemi në vlagën e punës duke përgatitur gjithçka që duhet për t'i bërë lokalet sa më tërheqëse për emigrantët", thotë Sajmiri, një prej pronarëve të lokaleve të shumta të këtij qyteti. Një gjë e tillë mund të duket çudi për këdo, por jo për hasjanët. "Është periudhë përgatitjesh për biznesin, se është koha kur vijnë emigrantët me pushime dhe secili do t'i tërheqë ato", thotë Bardhyl Peka, kryetar i Bashkisë, që na shoqëron në disa lokale ku punohet për pritjen e emigrantëve. Por edhe të kosovarëve që në këtë periudhë bëjnë vizita të shumta. "Kjo periudhë është më e ngarkuara për ne", thotë Bardhyli. Dikush kryen riparime, dikush zbukurime, ndonjë ndryshon dhe pajisjet. "Po i ndryshoj pajisjet e pikturat që kur të vijnë emigrantët të mos gjejnë të njëjtën gjë si vitin e kaluar",- thotë Zheni Dida, i cili tregon se 3 pikturat e reja i kanë kushtuar 470 mijë lekë. Këto ditë edhe Bashkia është në vlagën e punës, veçanërisht me zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbëruara. "Kemi shtuar 2100 metër katrorë sipërfaqe të gjelbëruar, kryesisht lulishte", tregon Bardhyli. Një gjë e tillë ka nisur të ndjehet që në hyrje të qytetit, sa kalon urën që lidh Krumën me Kukësin, ku punimet për zgjerimin e rrugës janë përshpejtuar. Ndaj hasjanët thonë se këto ditë i ngjajnë një ditë dasmeje, ku të gjithë përgatiten. Bile edhe familjarët për të pritur djemtë që kthehen nga kurbeti. Hasi në pritje të emigrantëve Hasi është ndoshta rrethi me më pak banorë, vetëm 20 mijë, një qytet me 4000 banorë e 32 fshatra. Por ka mbi 700 djem e vajza në emigracion, kryesisht në Angli. Hasjanët thonë se janë të parët që iu drejtuan Anglisë për të emigruar. Aq sa me krenari pohojnë se, ndër shqiptarët, janë ata që e kanë zbuluar Anglinë. Në këtë rreth thuajse çdo familje ka të paktën një djalë në emigracion. U larguan që në fillim të viteve '90, kur u prishën kooperativat dhe u mbyllën minierat e kromit e bakrit. Të parët u larguan brrutasit, që u vendosën në këtë qytet forcërisht pas ndërtimit të hidrocentralit të Fierzës. Nga sytë këmbët, thuajse të gjithë u larguan, aq sa sot në Krumë kanë mbetur vetëm 2 familje nga ky fshat, që dikur vetëm Drini e ndante nga qyteti i Kukësit. Gëzim Kastrati, mësues, është një prej dy brrutasve që nuk janë larguar nga Kruma. "S'jam larguar se miqësinë e kam këtu dhe nuk kam fëmijë në emigracion. Me rrogë nuk kam ku të shkoj", thotë ai. Ndërsa shumica presin emigrantët. Mes tyre është Hysni Geca. "Po lyej lokalin, por eddhe shtëpinë se në korrik më vijnë dy vëllezërit nga emigracioni", thotë Hysniu. Ata ia kanë blerë lokalin bashkë me të gjitha pajisjet. Hysniu dëshëron të ndryshojë diçka që vëllezërit të mos zhgënjehen kur të vijnë. "Edhe pse sivjet nuk kam patur shumë punë", thotë Hysniu. Në qytetin e Krumës numërohen 60 bar bufe, 43 biznese shërbimi si dhe 16 lokale të tregtimit të mallrave ushqimore. Po ashtu edhe linja e prodhimit të birrës, linja e mbarështrimit të troftës dhe ajo e prodhimit të vezëve. I gjithë ky biznes është ngritur me të ardhurat e emigrantëve. "Këto ditë jemi me veshët ngrehur, se na lajmërojnë se janë nisur për të ardhur, ndaj edhe jemi më të gëzuar", thotë me shaka Zenal Musa, plaku 80 vjeçar. "Aq sa edhe për fëmijët, kemi blerë ndonjë rrobe të re", vazhdon tregimin plaku. Hasjanët nuk e mohojnë kontributin e emigrantëve. Ata që kanë ndërtuar edhe dhjetra banesat e reja, locale, apo bizneset e tjera. Ndonëse në rrugëtimin e tyre kanë pësuar edhe tragjedi si ajo e Otrantos në vitin 2003, kur u mbytën 6 hasjanë njëherësh. "Është një tragjedi që nuk harrohet", thotë kryetari i Bashkisë./ch/
KOMENTE