English

Berisha: Infrastrukturë Moderne Për Të Nxitur Bumin Turistik Në Pogradec

- Kryeministri Berisha përuron shkollën e mesme të bashkuar "Dëshmorët e Pojskës", në Udënisht, Pogradec - TIRANË, 12 Qershor/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha siguroi dje, se "Qeveria do të ndërtojë në Pogradec infrastrukturën më moderne, në mënyrë që kjo zonë të njohë me shpejtësi bumin e madh turistik". Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Berisha mori pjesë dje në përurimin e përfundimit të punimeve të shkollës së mesme të bashkuar "Dëshmorët e Pojskës" në Udënisht, të Pogradecit, me vlerë investimi 26 milion lekë të reja. Në takimin me banorët e zonës, Kryeministri Berisha u ndal te investimet e qeverisë në qytetin e Pogradecit. Duke e cilësuar liqenin e Ohrit si një monument madhështor të natyrës në mbarë planetin dhe tashmë, një nga liqenet më të pastër në Europë, Berisha tha se "me gjolin, natyra ju ka dhuruar një nga bukuritë më mahnitëse të tokës". Kryeministri siguroi banorët se "kolektori do të shtrihet nga Lini në Tushemisht dhe do të ecet me shpejtësi drejt shndërrimit të kësaj rruge në bulevard të vërtetë, me trotuare dhe ndriçim". Qeveria ka ndërtuar në këtë rreth me dhjetëra rrugë të reja, por Kryeministri siguroi se "gjatë këtij mandati në këtë rreth nuk do të ketë qoftë edhe një rrugë të vetme të paasfaltuar". Në shkollën "Dëshmorët e Pojskës" të fshatit Udënisht mësojnë 567 nxënës, nga të cilët 110 në arsimin parashkollor. E ndërtuar sipas parametrave më të larta bashkëkohore, kjo shkollë ka 21 klasa, laboratorë modern informatike, bibliotekë, si dhe mjedise komode për nxënësit. Vetëm vitin e fundit komuna ka përfituar 95 milionë lekë të reja investime, ndër të cilat, ndërtimi i shkollës 9 vjeçare "Dëshmorët e Pojskës", rikonstruksioni i ujësjellësit me vlerë 18 milionë lekë, rruga në fshatin Lin 28 milionë lekë, rruga e lagjes Pole 11 milionë lekë dhe rruga në fshatin Udënisht 13.5 milionë lekë. Gjatë qeverisjes demokratike në rrethin e Pogradecit janë investuar 50 herë me shumë se në qeverisjet e mëparshme socialiste. Në infrastrukturë janë investuar 70 milion lekë për ndërtimin e rrugëve nacionale. Janë ndërtuar gjithashtu 23 rrugë rurale e të qytetit, 11 ujësjellës, 16 shkolla dhe 17 ambulanca. Është investuar në ujësjellësin e kanalizimet e qytetit dhe impiantin e përpunimit biologjik të ujërave të ndotura. Qeverisja aktuale ka investuar dhe subvencionuar në bujqësi e peshkim 7 herë më shumë, se qeverisjet e mëparshme socialiste. Kështu, në Udënisht është investuar 20 herë më shumë se në qeverisjet e mëparshme, duke ndërtuar 3 rrugë, ujësjellësin dhe shkollën./m.m//n.m/
KOMENTE