English

Kosovë, Përurohet Në Prizren Monumenti I Falënderimit Të Nato-S

PRISHTINË, 12 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Në Prizren, në Prishtinë, në kryeqytetin e shtetit më të ri por edhe në qytete të tjera të Kosovë, në një atmosferë festive u shënua sot 11 vjetori i ndërhyrjes së NATO-s. Në këtë ditë u përurua në Priznern edhe Monumenti i NATO-s, i ngritur në shenjë falënderimi për Aleancën Veriatlantike dhe kontributin e saj për çlirimin, paqen dhe stabilitetin e Kosovës. "Sot po shënojmë ditët e lirisë së shtetit tonë, ditët që shënuan kthesën historike të vendit dhe shoqërisë sonë", theksoi Kryeministri Hashim Thaçi në ceremoninë e përurimit, duke shtuar se, "Kosova tashmë ka fituar njohjen e fuqishme nga 69 shtete". "Sot Kosova ka të ardhme të sigurt euro-atlantike. Është hapur kapitull i ri, ai i integrimit të Kosovës në NATO dhe në BE dhe po ndërtohet një shtet sipas standardeve demokratike dhe multietnike, dhe shembulli më i mirë për këtë është vetë qyteti i Prizrenit", theksoi Thaçi. Ndërkaq, komandanti i KFOR-it në Prizren, gjenerali gjerman Manfred Hofmeyer, e vlerësoi monumentin si simbol të mirënjohes të popullit të Kosovës për paqeruajtësit ndërkombëtarë. Ramadan Muja, kryetari i Komunës së Prizrenit, shprehu dëshirën që së shpejti, krahas flamujve të vendeve të tjera anëtare të NATO-s, të valojë edhe flamuri i Kosovës./s.s./
KOMENTE