English

Përveç Uljes Së Normës Së Interesit, Bankat Të Zgjasin Edhe Afatet E Shlyerjes

-Deklaron në një intervistë për ATSH-në, kreu i DHTIT-së Nikolin Jaka- TIRANE 12 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka vlerësoi thirrjen publike të ministrit të Financave, Ridvan Bode ndaj sistemit bankar për uljen e normës së interesit të kredive, si një masë me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e biznesit. "Kjo ka qenë një kërkesë e hershme e bërë nga ne, si Dhomë e Tregtisë dhe Industrisë. Duke parë vështirësitë që po kalon biznesi shqiptar, jemi paraqitur me një set masash konkrete që duhet të merren nga instanca të caktuara. Tashmë kërkesës tonë për ulje të normës së interesit i është bashkuar dhe Ministria e Financave", thotë në një intervistë për ATSH-në, kreu i DHTIT-së Jaka. Por biznesi kërkon që veç rishikimit të përqindjes së normave të interesit edhe zgjatjen e afateve të shlyerjes nga sistemi bankar në Shqipëri. "Kërkojmë që afërsish të merret e njëjta masë që propozoi dhe realizoi qeveria amerikane apo Banka Qendrore Europiane për ekonomitë dhe vendet e krizës", thotë Jaka. Në këtë linjë, ai gjykon se në bankat tregtare që veprojnë në Shqipëri është evidentuar një rritje e ndjeshme e depozitave të popullatës dhe të bizneseve private. "Në krahasim me një vit më parë, depozitat pranë bankave, sipas raportit të Bankës së Shqipërisë llogaritet të jenë rritur mbi 70 %. Kjo do të thotë se sektori bankar që operoi me masa të forta në sistemin e kredidhënies ndaj biznesit e ka kapërcyer situatën e vështirë, ose është tërësisht në kapërcim të saj", shprehet Nikolin Jaka. Në këto rrethana, vlerëson ai, propozohet të shqyrtohet mundësia e inicimit të një politike të re kreditimi, me përqindje të ulëta, por edhe kreditimin e disa sektorëve që kanë perspektivë zhvillimi, por që aktualisht janë të pambështetur. Sipas studimeve që ka bërë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, rezulton se sektori i ndërtimit është një nga më të prekurit nga kriza, duke i shtuar edhe mungesën e kreditimit nga bankat. "Hartimi i një pakete ekonomike e financiare do të ndihmojë drejtpërsëdrejti kompanitë më të goditura dhe më të rrezikuara, të cilat kanë aktivitetin e tyre në sektorët më të prekur nga ethet e krizës. Për këtë masë përvojat janë të panumërta", thotë Jaka. Ndërsa institucioni që drejton ka nisur negociatat me sistemin bankar, kryetari i DHTIT-së gjykon se në këtë nismë duhet patjetër edhe ndermjetësimi i shtetit. "Ne po negociojmë me sistemin bankar të nivelit të dytë për të marrë në konsideratë situatën e marrëdhënieve me klientët e tyre, domethënë, cilët biznese duhen ndihmuar duke zbutur kushtet dhe kriteret e vendosura për likuidimin e tyre" thotë Jaka. Aktualisht norma bazë e interesit është 5.25 për qind. Që nga fillimi i vitit 2010, Banka e Shqipërisë nuk e ka ndryshuar asnjëherë këtë normë, ndërkohë që gjatë vitit 2009 ajo bëri dy ndërhyrje, në muajt janar dhe tetor me të cilat, norma bazë e interesit u ul me 0.5 pikë të përqindjes./n.m/
KOMENTE