English

Sport-Merkato/ Odise Roshi I Flamurtarit Kalon Tek Psg

- Klubi i Flamurtarit do të përfitojë 250 mijë euro nga shitja e lojtarit fierak - TIRANË, 12 Qershor/ATSH- Gjergji Mima/. - Mesfushori i avancuar i Flamurtarit, Odise Roshi (19 vjeç, 3 gola sezonin e kaluar), nënshkroi një kontratë 3-vjeçare me klubin e njohur të kryeqytetit francez, Paris Saint Germain. Roshi, golashënuesi më i mirë i Shqipërisë U-21 në edicionin aktual të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-21 (4 ndeshje, 3 gola), u testua në fund të muajit prill të këtij viti tek klubi i njohur francez. Klubi i Flamurtarit do të përfitojë 250 mijë euro nga shitja e lojtarit. Tek PSG për provë ishte edhe sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Bala (19 vjeç, 17 gola në këtë sezon në të gjitha kompeticionet). Paris Saint Germain është një klub i njohur në Shqipëri, pasi për fanellën e tij kanë luajtur në të kaluarën dy mesfushorët e ekipit kombëtar, Edvin Murati dhe Lorik Cana. Pak javë më parë, sulmuesi fierak i Flamurtarit, Odise Roshi, fitoi çmimin e dytë në garën "Talenti i sezonit 2009-2010", të dhënë nga shoqata "Sporti na bashkon". Pasi mori pllakatin e rastit nga ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, por dhe trajner kampion me Partizanin e Dinamon, Bejkush Birçe, Roshi tha se çmimin ia dedikonte Flamurtarit, skuadra që nxori në pah edhe vlerat e tij. /s.s./
KOMENTE