English

Vdekshmëria Foshnjore Dhe Amtare-Specialistët: Ende Për T'U Bërë Për Të Arritur Në Shifrat E Vendeve Të Zhvilluara

- Gjatë Konferencës së Katërt Ndërkombëtare për Mjekësinë Perinatale - TIRANË, 12 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Shqipëria ka bërë përparime në drejtim të shëndetit të nënës dhe fëmijës, vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë foshnjore e amtare, megjithatë mbetet ende për të bërë për të arritur në nivelet e vendeve të zhvilluara, u tha në Konferencën e Katërt Ndërkombëtare për Mjekësinë Perinatale, punimet e së cilës po mbahen në Hotel "Tirana International". "Pavarësisht nga përparimet, mbetemi vend me vdekshmëri dhe sëmundshmëri më të lartë se vendet e zhvilluara si për nënat shtatzanë, ashtu dhe për fëmijën e porsalindur, ndaj qëllimi i këtyre konferencave është të marrim eksperiencën e vendeve më të zhvilluara dhe t'a aplikojmë maksimalisht me mundësitë që kemi në spitalet tona, për të arritur në nivelet e tyre", tha sot për ATSH-në mjeku gjinekolog Orion Gliozheni. Sipas tij, "vitet e fundit, vdekshmëria përreth lindjes të fëmijëve ka ulje të ndjeshme nga gati 30 për 100 000 lindje të gjalla para disa viteve, tani ka arritur në rreth 17 për 100 000 lindje". Sa i takon rasteve të fëmijëve të vdekur në barkun e nënës, Gliozheni tha se "diagnoza e hershme e anomalive të fëmijëve, apo sëmundjeve të ndryshme që paraqesin që në barkun e nënës, nëpërmjet ekografisë dhe analizave, bën të mundur që ose të ndërpritet një shtatzani që nuk ka perspektivë për të shkruar përpara, ose të trajtohet në mënyrë që të mos ndodhë vdekja në barkun e nënës". Ndërkohë, edhe vdekshmëria amtare është ulur krahasuar me vitet e regjimit komunist, kur ishte shumë e lartë, kjo dhe si rezultat i aborteve të pakontrolluara. "Tani kushtet janë përmirësuar, gruaja ndiqet më mirë, vdekshmëria e grave është reduktuar dhe maksimalisht kemi 20 raste vdekjeje për 100 000 lindje të gjalla", tha Gliozheni, sipas të cilit, vitin e kaluar vdekshmëria amtare ka qenë 0. "Nuk ka pasur asnjë grua të vdekur në vend, kështu që jemi optimistë se po ecim në drejtimin e duhur", tha ai. Por, sipas tij, "edukata dhe promocioni janë dy faktorë të rëndësishëm në mënyrë që masa e grave shtatzana të marrë informacionin e duhur për të ndjekur në mënyrë të rregullt shtazaninë". "Shpesh herë shtatzania konsiderohet si një proces normal fiziologjik dhe gruaja mendon se nuk ka nevojë të shkojë tek mjeku. Por, mjeku mund të zbulojë një sëmundje të saj, apo fëmijës në bark, ndërkohë që nuk ka asnjë simptomë", tha mjeku Gliozheni, sipas të cilit, "kapja e hershme e të gjithë problematikave i bën më të trajtueshme, ndërsa kapja më vonesë rrezikon jetën e nënës dhe fëmijës së porsalindur". Konferenca e Katërt Ndërkombëtare për Mjekësinë Perinatale është aktiviteti më i madh që bëhet në vend, por dhe për vendet fqinjë si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, lidhur me problemet e gruas dhe fëmijës përrreth lindjes. Ajo organizohet nga Shoqata Shqiptare e Perinatologjisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Fakultetin e Mjekësisë dhe me mbështetjen e organizmave ndërkombëtare, si UNFPA, por dhe firma farmaceutike. Për herë të parë këtë vit, konferenca organizohet në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Gjinekologëve dhe Obstetërve (FIGO), organizimi më i madh shkencor në botë në këtë specialitet. /s.s./
KOMENTE