English

Prodhimi Vendas Pergjysmon Çmimet E Prodhimeve Bujqësore

TIRANE, 13 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, konstaton se gjatë dy javëve të para të muajit qershor, indeksi i çmimit të prodhimeve bujqësore shënoi një ulje prej 1.2 përqind, krahasur me të njëjtën periudhë të një muaji më parë. Sipas MBUMK-së, futja në treg e prodhimit të bollshëm agro-bujqësor vendas, është faktori kryesor që ka ndikuar në rënien e çmimeve për produktet bujqësore, çka ka ndikuar edhe në koston e jetesës. Referuar treguesve statistikor konstatohet lehtësisht rënie e çmimit për produktet bazë bujqësor si domate, kactravec, speca, etj të cilat tregtohen përkatësisht 50 lekë/kg, 60 lekë/kg dhe 70 lekë/kg duke shënuar mesatarisht një ulje me 25 leke/kg kundrejt një jave më parë. MBUMK vëren se piku i prodhimit po favorizon uljen e çmimeve për prodhimet e këtij sektori, tendencë e cila do të vijojë edhe gjatë javëve të ardhshme. Ndërkohë sipas INSTAT, gjatë muajit Maj 2010, çmimet janë ulur dhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë uljet në nëngrupet, "sheqer dhe ëmbëlsira" 0.7 përqind, "qumësht, djathë e vezë" 0.2 përqind, "mish" 0.3 përqind, etj. Ndërsa, çmimet e nëngrupit "fruta" shënuan një rritje prej 0.5 përqind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të kivit me 6.1 përqind, limonave me 5.4 përqind, dardhave me 2.7 përqind, bananeve me 2.1 përqind, etj Në analizën e fundit që Këshilli Mbikqyrës i BSH-së, i ka bërë ekonomisë pak ditë më parë, ka evidentuar se efekti i faktorëve që rritën inflacionin në muajt e parë të këtij viti ishte kalimtar dhe ky ndikim nuk do të ndihet në periudhën në vazhdim. Inflacioni ka rënë në fund të muajit të kaluar në 3.5 përqind, nga 4.1 përqind që ishte në mars. "Gjatë muajve të fundit, inflacioni i çmimeve të konsumit në Shqipëri është shkaktuar më së shumti nga rritja e çmimeve të administruara, nga tendenca rritëse e çmimeve në konjukturën botërore dhe nga efektet prapavepruese të nënçmimit të kursit të këmbimit në inflacion. Në mungesë të efekteve të raundit të dytë në inflacion, efekti i këtyre faktorëve, ashtu siç ishte parashikuar, rezulton të jetë kalimtar. Presionet e brendshme inflacioniste mbeten të ulëta", theksohet në raportin e Bankës së Shqipërisë. /f.n/
KOMENTE