Bbsh, Tregues Të Një Sistemi Të Shëndetshëm Bankar
					  -Intervistë me supervizorin e BBSH-së, Ermal Husha- 
      TIRANE, 14 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Banka e Bashkuar e Shqipërisë (BBSH) me kapital kryesor Bankën Islamike për Zhvillim, gjatë vitit 2010 ka zbatuar një sistem të ri programesh, i cili mundëson një serë shërbimesh të reja si aplikimi i kartave të debitit dhe creditit, shërbimet e-banking etj, duke shënuar arritje pozitive në qëndrueshmërinë e një sistemi të shëndetshem bankar. 
     Ermal Husha, supervizor i BBSH-së, në një intervistë për ATSH-në, shpjegon se "raporti në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë mes depozitave dhe kredidhënies qëndron brenda normave të lejuara të Bankës Qendrore në shifrat 60% me 40%, nivel ky pak më i lartë se bankat e tjera, për faktin që banka nuk funksionon me blerje bono thesari dhe është e detyruar të shfrytëzojë depozitat më shumë se bankat e tjera". 
        Duke iu referuar statistikave të bankës, Husha thotë se, "faktori krize, vërtetë ka ngadalësuar ritmet e kredisë, bizneset janë në vështirësi likuiditeti dhe risku për kreditimin e tyre automatikisht bëhet më i lartë. Ndaj dhe bankat në vend janë detyruar të jenë më të shtrenguara ndaj kredidhenies", gjykon ai.
     Husha vlerëson se një nga faktoret që do të zgjidhte këtë ngërc duke i dhënë frymëmarrje më të madhe kreditimit, do të ishte "ulja e normën bazë të interesit për bonot e thesarit, politikë kjo që duhet ndërmarrë nga BSH-ja, dhe do jepte një efekt zinxhir në bankat e nivelit të dytë duke ulur normat e interesit në depozitë dhe rritur destinacionin e parave për konsum sesa për kursim". 
     Sipas tij, "kjo masë do ndikonte dhe në uljen e interesit për kredidhënien, ç'ka do të sillte më shumë para në qarkullimin". Gjithsesi, thekson Husha, këto janë disa nga efektet zinxhir por sërisht shumë minimal për të arritur në rritjen e kreditimit në vend. 
        "Sfidat e BBSH-së janë të lidhura me aftesinë e të qënurit konkurent në tregun vendas me shërbimet që banka ofron, nderkohë që kriza e likuiditetit, e cila ka penguar aktivitetin normal të biznesit, ndikon edhe në ecurinë e mëtejshme të bankës", përfundoi Husha./a.gj/ 				
				
				
