English

Berisha:Kryebashkiaku Rama Po Rëndon Biznesin E Vogël

TIRANË, 14 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Kryeministri Sali Berisha tha sot se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, po rëndon biznesin e vogël në kryeqytet me barrën më të rëndë fiskale, duke rritur taksat. "Një problem madhor ekziston në Tiranë, ku kapitalistëve të vegjël, Edi Rama u ka rezevuar barrën më të rëndë fiskale, duke trefishuar taksën e mjedisit dhe katër apo pesëfishuar taksën e tabelës. Ai ka shpikur një sistem fiskal sikur Shqipëria të ishte Pheniani dhe jo kryeqyteti i një vendi anëtar të NATO-s", tha kryeministri në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD-së. "Parlamenti, vijoi ai, ka votuar një ligj ku përcakton nivelet e taksave 'një euro' për tabelën, si dhe diapazonin që i lejon kryebashkiakut të shkojë vetëm 10% mbi nivelin e parashikuar në ligj. Do të bllokohen të gjitha të ardhurat në thesar dhe tepricat do të studjohen, në mënyrë që t'iu kthehen atyre që Rama ua ka marrë mbi ligjin", theksoi kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë, duke kërkuar një shqyrtim të hollësishëm të kësaj çështje, tha se thesari duhet të zbatojë ligjin. "Nuk mund t'u merret qytetarëve asnjë qindarkë më shumë se sa e përcakton ligji dhe të gjitha do t'u rikthehen çfarë të jetë në kundërshtim me ligjin. Nga njëra anë, Rama flet për papunësi dhe nga ana tjetër rëndon me taksa biznesin e vogël dhe të mesëm, që sipas studimeve krijon në Shqipëri 99% të vendeve të punës", tha Berisha. Ai akuzoi kryebashiakun Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste të opozitës, se paratë që ai i merr në mënyrë të paligjshme biznesit në Tiranë, "i shndërron në tabela për mitingje, në kamiona me ujë dhe ushqime, në çadra dhe pagesa për ata që vijnë në mitingje, sepse rrugë nuk shtrohen"./n.m/
KOMENTE