English

Grisja e librit “Jeta ime” të Ramiz Alisë, lë pa fjalë organizatorët e Panairit

Prishtinë, 14 Qershor, NOA, Milena Selimi - Organizatorët e edicionit të 12-të të panairit të librit “Prishtina 2010” nuk kanë dashur të komentojnë ngjarjen e së premtes, kur një nga vizitorët, ka grisur librin autobiografik “Jeta ime” të Ramiz Alisë, ish - lideri i fundit komunist në Shqipëri.

Shtypi kosovar e ka ndjekur këtë ngjarje dhe pa dhënë komente të hollësishme e përshkruan kështu: “Nuk e kam pa dhe nuk kam çka të them”, kanë qenë përgjigjja e vetme e Besian Zenelit, njëri nga organizatorët e Panairit të Librit në Prishtinë.

Në anën tjetër, Arsim Hashani, përfaqësues i shtëpisë botuese “Toena”, botuese e këtij libri, ka përshkruar rastin.

“Një vizitor e ka blerë librin dhe e ka grisur këtu në sallë para të gjithëve. Nuk e ka folur asnjë fjalë të vetme; vetëm e ka grisur librin”, ka thënë Hashani, duke shtuar se për herë të parë ka parë një gjë të tillë, prej sa kohë merr pjesë në Panair.

Duke thënë se “Jeta ime” ka qenë ndër librat më të shitur në stendën e shtëpisë botuese “Toena”. Alban Gojani, një nga dëshmitarët e rastit, ka thënë se personi që e ka grisur librin ka qenë mjaft i qetë.

“E kam parë duke e blerë librin. Më pas e ka grisur dhe e ka shkelur me këmbë në një mënyrë shumë të qetë, pa folur asgjë”, - ka thënë Gojani.

m.s/i.t/NOA

KOMENTE