P/Ligji "Për Faljen"/Vijon Shqyrtimi Nen Për Nen Në Komisionin E Ligjeve
					  TIRANË, 14 Qershor/ATSH/.- Komisioni parlamentar i Ligjeve vijoi sot diskutimet për projektligjin "Për Faljen" me shqyrtimin nen për nen të tij. 
     Gjatë diskutimeve, anëtarët e komisionit propozuan e më pas miratuan disa ndryshime teknike për katër nenet e para të projektligjit, duke vendosur vijimin e shqyrtimit të neneve të tjera në mbledhjen e radhës.
     Në mbledhje u shqyrtuan dhe disa amendime të propozuara nga deputetë të PS-së, lidhur me draftin e propozuar nga ministria e Drejtësisë.   
     Deputetët e të dyja palëve zhvilluan një diskutim të hapur, duke shkëmbyer opinione mbi strukturën legjislative të p/ligjit dhe duke vlerësuar rëndësinë e tij në kuadër të reformës në drejtësi. 
     Për hartimin e p/ligjit janë marrë parasysh një pjesë e madhe e vërejtjeve të disa institucioneve si misioni EURALIUS II dhe të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. 
     Përmes këtij projekti synohet përcaktimi i kritereve dhe procedurave të dhënies së faljes për personat që vuajnë dënime me vendim gjyqësor. Një mjet i rëndësishëm në këtë drejtim janë instrumentet kushtetuese dhe ligjore të amnistisë dhe të faljes së dënimeve penale, që përfaqësojnë akte mëshire ndaj të dënuarve, duke i dhënë mundësinë atyre për integrim social./a.s/s.s./ 				
				
				

 
    