English

Reportazh/ Gjirokastër: Një Udhëtim I Shkurtër Në Fshatrat E Dropullit

GJIROKASTËR, 14 Qershor/ATSH-Telnis Skuqi/ - Sapo lë pas Gjirokastrën, në krahun e djathtë të rrugës kombëtare për në Kakavije, te kthesa e Mongjillës shfaqet Dropulli me bukurinë e tij, ose, siç njihet ndryshe nga banorët e jugut, "minoriteti". I pari fshat për nga vendosja e madhësia është Derviciani, i cili mund të quhet një qytezë moderne. Sotiraq Niko, 75 vjeç infermier në pension, thotë se "Derviciani njihen nga vendasi si "kryeqyteti", pasi të gjitha aktivitetet të rëndësishe politike, kulturore dhe fetare të minoritetit, janë ekskluzivitet i këtij fshati". "Vitet e fundit infrastruktura rrugore në brendësi të fshatit është përmirësuar shumë," thotë Niko. Dropulli ndahet administrativisht në dy komuna, në Dropullin e Sipërm dhe të Poshtëm. Sipas historianëve, mendohet që minoriteti grek është vendosur në Dropull në shekujt XVII-XVIII, ku fillimisht kanë ardhur si bujq. Sipas Nikos, shqipja nuk harrohet dhe është mësuar qysh prej kohës së Zogut. Niko tregon se gurorët e Dervicianit, "mademet", siç i quajnë vendasit, janë me dhjetra. "Me mijëra tonë gurë nga këto mademe kanë stolisur jo vetëm jugun e vendit, por edhe Tiranën dhe më tej Athinën (Greqi)", pohon Niko. Dropulli e ka një plagë shekullore, kurbetin. Sipas Nikos, që ka nisur në vitet '20-'30 të shekullit të kaluar dhe sot është aq evidente sa po të shkelësh në fshatrat e Dropullit ndesh mungesën e njerëzve, në mënyrë të veçantë të moshës së re. "Shkollat rrezikohen të mbyllen për shkak të mungesës së fëmijëve si një hemorragji e pandalshme", mendon Niko. Dhimitër Qiqi nga Zervati, 55 vjeç, prej gjashtë vjetësh përkthen dhe përgatit tekset shkollore për nxënësit e minoritetit. Ai thotë se numri i nxënësve çdo vit vjen në ulje dhe kjo ka sjellë shtrenjtësimin e tekseve shkollore. "Në përgjithësi tekstet shkollore subvencionohen nga shteti, pavarësisht kostos së lartë", pohon Qiqi, duke nënvizuar se një libër kushton 17 mijë lekë të reja. "Komuniteti minoritar po vuan mungesën e gjeneratës së re", shton ai. Më tej, Qiqi, tregon se Dropulli ka peisazhe të mrekullueshme, që të huton, të bën për vete, por mendon se "në përgjithësi banorët janë bujarë, të cilët jetojnë mes bukurisë natyrore dhe varfërisë njëzore, braktisjen". Sipas tij, emigrancioni vazhdon të jetë një nga plagët më të rënda të këtyre zonave. "Të rinjë janë larguar dhe vetëm pleqtë të vetmuar kanë ngelur", thotë Qiqi. Barba Taqi nga Goranxia, 81 vjeç, rrëfen me dhimbje këtë plagë të madhe, që ai dhe moshatarët e tij e ndiejnë më shumë mbi supet e tyre. "Ky fshat ka pasur afro 230 familje para viteve 1990, sot është katandisur me 40 të tilla", rrëfen Barba. Kosta Bili, 56 vjeç, ish-kryeplaku i fshatit Sotirë, rreth 45 km larg Gjirokastrës, me 120 shtëpi guri dhe 400 banorë, thotë se shtëpitë e kësaj zone janë vënë në dispozicion të turizmit familjar. "Terreni prej 1740 hektarë gjelbërim, paraqet kushte të shkëlqyera për turizmin ekologjik dhe alpinizëm", thotë Bili.ch/
KOMENTE