English

Shba - Server: Beogradi Të Njohë Sovranitetin E Kosovës Së Paku ''De Facto''

UASHINGTON, 14 qershor /ATSH-MIA/ - Ballkani mund të përfshihet në një dramë të re në Kosovë dhe në Bosnje-Hercegovinë, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian nuk ndërmarrin hapa drastike për të shtyrë përpara procesin e integrimit të këtyre vendeve në BE, thotë analisti i njohur i Institutit Amerikan të Paqes, Daniel Server. Ky ekspert për Ballkanin e shoqëron parashikimin e tij me një listë recetash për të shmangur krizt dhe për të përshpejtuar integrimin. Në një intervistë për "Zërin e Amerikës" Server tha se ajo që duhet sqaruar pikë së pari është se nuk mund të ketë normalizim apo përparim në çështje teknike mes Beogradit dhe Prishtinës, pa pasur një kontakte mes udhëheqësve të dy vendeve. ''Tani janë pjekur kushtet për të analizuar seriozisht situatën dhe për të identifikuar rrugën drejt të ardhmes. Beogradi është treguar shumë më i hapur këto kohë ndaj çështjes së Kosovës'', thotë Server. ''Është bërë e qartë se Serbia ka hequr dorë nga presioni ndaj vendeve të tjera për të zhbërë njohjen e Kosovës. Ajo që kërkon të arrijë në këto momente Beogradi është të negociojë kushte më të mira për veten që kanë të bëjnë me çështjen e territoreve'', shton ai. ''Megjithatë, askush në Evropë apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do që të dëgjojë teorinë e ripërcaktimit të kufijve në Ballkan. Por në fund të fundit, këto janë çështje që u përkasin dy vendeve sovrane dhe diskutimi i tyre mund të çonte përpara dialogun Serbi-Kosovë'', thotë Server. "E vetmja mënyrë është shqyrtimi i kësaj çështjeje nga të dy palët, Beogradi dhe Prishtina. Në mënyrë që të diskutohet kjo çështje në nivel dypalësh, duhet që Beogradi të njohë sovranitetin e Kosovës së paku 'de facto", thekson ai. ''Si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën zgjidhja përfundimtare mbetet integrimi evropian'', deklaroi Server./ a.jor.
KOMENTE