Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Tafaj: Thellim Të Reformave Me Ndryshimet Në Ligjin E Arsimit Të Lartë
English

Tafaj: Thellim Të Reformave Me Ndryshimet Në Ligjin E Arsimit Të Lartë

TIRANE, 14 Qershor /ATSH-Erla Gjikolli/ . -Ndryshimet në Ligjin ekzistues të Arsimit të Lartë, i cili po zbatohet që prej tre vitesh, do të sjellë risi të tjera në funksion të thellimit të reformave në fushën e arsimit. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, në një intervistë për ATSH-në, tha se maturantët e vitit të ardhshëm do të pajisen me "Diplomë të Maturës Shtetërore". Në maturën e vitit 2011, siç është përcaktuar në ligjin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, do të lëshohet "Diplomë të Maturës Shtetërore". Sipas ministrit, në maturën e vitit 2012 kjo diplomë do përmbajë jo më 4 provime si deri tani, por 5 provime. "Provimi i 5-të do të jetë provimi i detyruar i gjuhës angleze, ose i një gjuhe tjetër të parë për shkollat bilinguale". Duke shpjeguar ndryshimet kryesore që i janë bërë ligjit ekzistues të arsimit të lartë, Tafaj tha se "ne synojmë një pikënisje të barabartë me çdo vend tjetër evropian, pra një maturë me standarde". Në këtë mënyrë, tha Tafaj, studentët që në ditën e parë të pranimit në shkollën e lartë do të jenë krejtësisht të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në çdo vend të Evropës. Bachelori me kohëzgjatje tre vite akademike është forma më frekuente që zbatohet në shumicën e vendeve që kanë aderuar në Procesin e Bolonjës. Sipas Tafajt, Bachelori, sipas Bolonjës, mund të jetë i dy natyrave ose tipeve. Ai mund të jetë një Bachelor i orientuar ngushtësisht me një profesion dhe kjo ka kuptim veçanërisht për shkencat teknike. Në shumë fusha ekzistojnë mundësi të plota që të zhvillohet një Bachelor i orientuar ngushtësisht në një profesion me shanse shumë të mëdha për t'u thithur nga tregu i punës. Ekziston një grup tjetër i fushave të shkencës, ku integrimi në tregun e punës me një diplomë Bachelor, nuk është kaq i lehtë. "Për këtë qëllim, universitetet duhet të zhvillojnë një Bachelor, i cili ka një bazë shumë më të gjerë teorike dhe ju krijon mundësi studentëve që në ciklin e dytë të studimeve, të kenë mundësi të zgjedhin jo një Master në atë fushë ku kanë kryer Bachelorin, por të paktën në 5-6 apo 10 fusha të afërta", vijoi Tafaj, duke theksuar se zhvillimi i një Bachelori të orientuar ngushtësisht në një profesion kërkon një bashkëpunim të universiteteve me tregun e punës dhe me sektorin privat. Në Ciklin e Dytë të Studimeve ndryshimi që ndodh është se do të përdoret përsëri emërtimi Master, por jo më Master i Nivelit të Parë, por thjesht "Master" dhe në vend të "Diplomë e Nivelit të Dytë", "Master i Shkencave". Në këtë cikël kemi dhe ndryshimin e dytë thelbësor dhe cilësor. Të gjithë studentët që do të vazhdojnë Masterin Shkencor ose atë profesional, do të japin provimin e gjuhës angleze përpara mbrojtjes së tezës, ose provimit përfundimtar me një test internacional. Ndërsa Diploma e Nivelit të Dytë do të quhet Master i Shkencave dhe ligji e përcakton që ky master është një program studimi i orientuar në kërkim dhe i drejtohet kryesisht grupit të studentëve që janë të interesuar të vazhdojnë edhe studimet e doktoratës. Masteri i Shkencave zgjat 2 vjet dhe mbyllet me një projekt kërkimor dhe me një tezë të shkruar të masterit. 30-40 kredite, nga 120 kredite gjithsej, do të shfrytëzohen për kërkim shkencor dhe për të shkruar tezën e masterit. Kjo tezë do të mbrohet përpara një komisioni, pasi është dhënë provimi i gjuhës angleze. Masteri i Shkencave është diploma që të çon në studimet e doktoratës. Krahas Masterit të Shkencave është edhe diploma Master, që përfshin studime universitare të ciklit të dytë, të orientuara në një drejtim profesional. Kjo diplomë, sipas ministrit, realizohet për një vit e gjysmë dhe përmban 90 kredite. Edhe në këtë Master studentët do të japin provimin e gjuhës angleze. Në shkenca të tilla si Mjekësia dhe Arkitektura do të vazhdojnë studimet e integruara të ciklit të dytë që zgjasin 5 vjet dhe kanë së paku 300 kredite. Këto studime përfundojnë me diplomën Master i Shkencave. Edhe për këto fusha studimi kushti i gjuhës angleze është i njejtë. Tafaj shpjegoi se në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve nuk figuron Masteri i Nivelit të Dytë. Ai është hequr për shkak se nuk kishte ekuivalent të tij as në vendet e tjera. Ishte një diplomë që zgjaste vetëm një vit me 60 kredite dhe nuk përcaktonte qartë nëse ishte orientuar në shkencë apo në drejtim profesional. "Si e tillë, ishte e vështirë të njihej dhe nga shkollat e huaja, ndaj u vendos që ky lloj masteri të hiqet. Në doktoratë do të shkohet vetëm nëpërmjet Masterit të Shkencave ose diplomave ekuivalente me të, që vijnë nga vendet e tjera nga studimet e integruara të ciklit të dytë". Tafaj theksoi se kreditet e Masterit që zgjat 1.5 vjet, mund të transferohen për studimet "Master i Shkencave" dhe kjo është kompetencë e universitetit që përcakton se cilat module dhe sa kredite janë të transferueshme. Ndryshimet që ndodhin në studimet e doktoratës lidhen me faktin që pas vitit të parë të studimeve teorike, kandidatët kalojnë në një provim të përgjithshëm teorik që e organizon universiteti. Ai ka kompetencë të plotë të vendosë kritere për kalimin në fazën e dytë të zhvillimit të projektit kërkimor. Element i dytë i rëndësishëm është se kandidatët që regjistrohen në studimet e doktoratës, përpara se të fillojnë projektin kërkimor, duhet të paraqesin çertefikatën e zotërimit të gjuhës angleze, të njohur në shkallë internacionale me një numër pikësh që e vendos universiteti. Zotërimi i gjuhës angleze është kusht edhe për programet afatgjata të specializimit. Ligj i Arsimit të Lartë hyri në fuqi në maj të vitit 2007. Periudha 3-vjeçare e zbatimit të këtij ligji është vlerësuar si një periudhë, gjatë së cilës është realizuar një reformë e thellë në sistemin e arsimit të lartë shqiptar. Kjo reformë ka prekur të gjitha aspektet e këtij sistemi, në mënyrë të veçantë strukturën e studimeve dhe përmbajtjen e tyre, në përputhje me standardet e Bolonjës. Titullarët e universiteteve janë zgjedhur me vote të drejtpërdrejtë të profesoratit dhe të studentëve. Është rritur autonomia e universitete si në planin institucional, ashtu dhe në atë financiar, e gjithashtu, arsimi i lartë privat është zhvilluar me shpejtësi. Sistemi sot paraqitet tërësisht ndryshe, si në planin sasior dhe atë cilësor. Kjo reformë e thellë u shoqërua dhe me liberalizimin e pranimit të studentëve në universitete. Sot ka gati 3 herë më shumë studentë se në vitin 2004. Pas një konsultimi të gjerë me Konferencën e Rektorëve, me Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës, me profesoratin dhe studentë të universiteteve publike dhe private, iu propozua Këshillit të Ministrave një paketë ndryshimesh që synon të thellojë reformën e nisur./s.s./
KOMENTE