English

Kinema - Portret - Bekim Fehmiu Aktori I Roleve Të Mëdhenj

BEOGRAD, 15 qershor /ATSH/ - Aktori i njohur kosovar, Bekim Fehmiu, 74 vjeç, është gjetur i vdekur në banesën e tij në lagjen ''Zvezdara'' në Beograd, njoftoi media serbe. Lajmin e konfirmoi ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, i cili tha se dyshohet se bëhet fjalë për vetëvrasje, pasi Fehmiu ka vdekur nga arma e regjistruar në emrin e tij. Fehmiu njihet për rolet e tij të papërsëritshëm në filmat ''Mbledhësit e puplave (1967)'', ''Odiseja'' (1989) dhe ''Përgjithmonë Xhulia'' (1988). Bekim Fehmiu u lind më 1 qershor 1936 në Sarajevë. Fakultetin e Artit Dramatik e kreu në Beograd nga vitit 1956 deri në vitin 1960, ku ishte student i profesorit të njohur Mate Milosheviç. Karrierën e filloi në Teatrin e Prishtinës. Famën e arriti me filmin "Mbledhësit e puplave" të Aleksandër Sasha Petroviçit, në vitin 1967. Karrierën e tij, Fehmiu e ka zhvilluar jashtë vendit, sidomos në Itali, ku ka punuar me regjisorin Dino de Laurentis. Fehmiu ka bashkëpunuar edhe me John Huston, Ava Gardner, Charl Aznavour dhe të tjerë. Që nga viti 1987, Fehmiu nuk merrej me aktrim, në shenjë proteste ndaj qëndrimeve antishqiptare. Bekim Fehmiu ka fituar shumë çmime, mes tjerash edhe ''Arenën e Artë'' në festivalin jugosllav të filmit, në Pulë, për rolin e Halil Begut në filmin "Roy". Fehmiu ka luajtur edhe në filmat ''Bora e fundit e pranverës'' (1973), ''Shtatori i zi (1977) dhe ''Aventurierët'' (1989). Ai ka qenë i martuar me Branka Petriçin, me të cilën ka dy djem, Hedonin dhe Uliksin. Uliks Fehmiu është gjithashtu aktor dhe rolin e fundit të madh e ka pasur në filmin "Nesër në mëngjes" të Oleg Novakoviçit. Në prill 2001, Fehmiu botoi autobiografinë "Shndritshëm dhe tmerrshëm", që e kishte shkruar në vitin 1985./ a.jor.
KOMENTE